Lajmet e fundit
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Ali Babacan, u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës
, 14.01.2009
Pavarësia e Kosovës i dha fund një periudhe të rëndë e tejet tragjike që përjetoi populli i Kosovës Ruajtja e tërësisë territoriale dhe stabiliteti i Kosovës është me interes të gjerë, jo vetëm rajonal
Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, ashtu si e ka mbështetur edhe në momentet më të vështira Republika e Turqisë ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të veçantë në mbrojtjen e drejtësisë karshi çështjes së Kosovës , në rindërtimin e rimëkëmbjen e vendit tonë të dalë nga lufta shkatërruese dhe në sigurinë e në ngritjen e themeleve të Kosovës së re
Në shenjë të vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Ali Babacan, që po i bën Kosovës, sot u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit.Në mbledhje merrnin pjesë edhe kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, si dhe përfaqësues diplomatik ndërkombëtarë.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pasi përshëndeti të pranishmit dhe mysafirin e lartë në emër të tij dhe të deputetëve tha:” I nderuari zoti Babaxhan, mirë se keni ardhur në Republikën e Kosovës dhe në këtë seancë solemne parlamentare .
Ardhjen Tuaj në Kosovë, sikur edhe vizitën tonë të para pak ditëve që patëm në Turqi, i konsiderojmë si mesazhe dhe konfirmim të miqësisë midis dy vendeve e popujve tanë dhe si shprehje e vullnetit e gatishmërisë për thellimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fushat. Këto marrëdhënie të shkëlqyeshme do të përparohen, duke qenë jo vetëm në interesin tonë dypalësh, por edhe në dobi të bashkëpunimit rajonal, të integrimeve euroatlantike dhe të paqes në rajon.
Gjej rastin të falënderoj Republikën e Turqisë dhe institucionet e saj si dhe Juve personalisht, zoti Babaxhan, për kontributin e madh që keni dhënë për vendin tonë dhe për përpjekjet aktuale që po bëni në ndihmë të proceseve historike nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës. Republika e Turqisë ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të veçantë në mbrojtjen e drejtësisë karshi çështjes së Kosovës , në rindërtimin e rimëkëmbjen e vendit tonë të dalë nga lufta shkatërruese dhe në sigurinë e në ngritjen e themeleve të Kosovës së re .
Turqia është nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe njëri ndër miqtë tanë të çmuar që po e ushtron gjithë ndikimin gjithandej për njohjen sa më të gjerë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Kosova e re po ndërtohet si vend i lirë , sovran dhe demokratik, në të cilin jetojnë të barabartë qytetarët, pa asnjë dallim .
Komuniteti turk në Kosovë, sikur edhe bashkatdhetarët tanë, shtetas turq në Republikën e Turqisë , do të jenë faktorë dhe ura lidhëse midisi dy vendeve tona mike .
Duke ju falënderuar edhe njëherë, kam kënaqësinë t’ju ftoj zoti Babaxhan t’i drejtoheni me një fjalë Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Duke iu drejtuar të pranishmëve ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Ali Babacan tha se ndihet i lumtur që sot është këtu, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, prej nga juve dhe mbarë popullit të Kosovës t’ ju uroj një të ardhme sa më mirë dhe njëkohësisht t’ ju uroj Pavarësinë e Kosovës. E falënderoj Kuvendin që më dha këtë rast historik, këtë mundësi për t’ iu drejtuar nëpërmjet jush edhe popullit të Kosovës, me të cilin populli turk ka lidhje të ngushta shoqërore, historike dhe kulturore. Këto lidhje forcohen edhe më duke ditur se në Kosovë jetojnë pjesëtarë turq, e gjithashtu edhe në Turqi jetojnë qytetarë me origjinë nga Kosova , të cilët shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, për thellimin e mëtejme të këtyre marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet dy vendeve.
Turqia gjithnjë i ka kushtuar kujdes Kosovës dhe Ballkanit, që ishin nën ndikimin e rrymave të ndryshme, ndërsa tash Ballkani po kërkon konsolidimin e tij. Më 17 shkurt, kur Kuvendi i Kosovës është mbledhur këtu, po atë ditë, ne në Ministrinë tonë kemi shprehur gëzimin e përbashkët me ju, jetonim me ndjenjat tuaja, përjetonim bashkë gëzimin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës u ndoq me entuziazëm edhe në botë. Pavarësia e Kosovës i dha fund një periudhe të rëndë e tejet tragjike që përjetoi populli i Kosovës.
Vendimi historik për Pavarësinë e Kosovës u mor në bashkëveprim me komunitetin ndërkombëtar. Turqia gjithnjë angazhohet që në Ballkan të mbretërojë paqja dhe stabiliteti. Në këtë vështrim ruajtja e tërësisë territoriale dhe stabiliteti i Kosovës është me interes të gjerë jo vetëm rajonal. Në vijim ministri Ali Babacan u angazhua për vendosjen e të drejtave themelore njerëzore. Në këtë vështrim ai tha se Kosova duke garantuar e sendërtuar të drejtat e komuniteteve është një shembull shumë i mirë . Një shenjë shumë inkurajuese është fakti që në Qeverinë e Kosovës është një ministër turk, ndërsa në Kuvend janë tre deputet turq. Është trimërues edhe thellimi i bashkëpunimit me shtetet fqinje, ashtu si parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës.
Marrëdhëniet me fqinjët duhet të forcohen me angazhim të sinqertë. Duke u angazhuar kështu Ballkani do të shndërrohet në një rajon stabil. Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, ashtu si e ka mbështetur edhe në momentet më të vështira.
Në vazhdim Ali Babacan tha se duhet të marrim mësim nga shtetet e ndryshme të Evropës, të cilat në Luftën e Dytë Botërore patën luftuar ndërmjet vete, por pas luftës ato iu kthyen bashkëpunimit dhe formuan BE-në. Ballkani duhet të integrohet në BE, të gjithë ne duhet t’ i kemi dyert e hapura në BE, sepse kjo është perspektiva jonë. Turqia do të jetë bashkë me ju, ajo është e gatshme t’ ju ndihmojë. Bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve tona po zhvillohet me shpejtësi. Brenda një kohe të shkurtër hapëm ambasadat. Vizita e këto ditshme e kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Turqi i dha një shtytje të mëtejme këtij bashkëpunimi. Reflektim pozitiv në këtë bashkëpunim ka edhe interesimi gjithnjë e më i madh i biznesmenëve nga Turqia për të investuar në Kosovë.
Kësaj rruge investimet do të rriten edhe më . Një shtytje të re bashkëpunimit të gjithëmbarshëm ndërmjet Turqisë dhe Kosovës do t’ i japë edhe nënshkrimi i dy marrëveshjeve, të cilat do të nënshkruhen sot e që kanë të bëjnë me strategjinë e përbashkët të bashkëpunimit dhe ajo për heqjen e vizave. Në këtë mënyrë si qytetarët nga Kosova, ashtu edhe ata nga Turqia më nuk do të kenë nevojë të nxjerrin viza për të qarkulluar ndërmjet këtyre dy vendeve.
Ministri Ali Babacan pastaj foli edhe për kontributin e ushtarëve turq në kuadër të KFOR-it në Kosovë, si dhe për kontributin që jep Turqia në shkollimin kuadrove të reja nga Kosova në Turqi.