Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti një grup nxënësish nga Malisheva
, 14.01.2009
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot një grup nxënësish të shkollës nëntëvjeçare “Tafil Kelmendi” të fshatit Balaj të Komunës së Malishevës, të prirë nga drejtori i kësaj shkolle Sahit Kastrati.
Duke iu uruar mirëseardhje në ambientet e Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari njëkohësisht u uroi nxënësve fat dhe suksese në mësime në Vitin e Ri 2009. Në vijim kryeparlamentari Krasniqi theksoi se Kuvendi dhe institucionet tjera të vendit gjithnjë angazhohen që nxënësit të mësojnë e edukohen në ambiente sa më të mira.
“Falë sakrificës së brezave të mëparshëm, për brezin e ri janë krijuar rrethana shumë më të favorshme për mësime ”, tha kryeparlamentari Krasniqi.
Një pjesë të fjalës së tij kryeparlamentari Krasniqi ia kushtoi edhe shëmbëlltyrës së studiuesit të spikatur të shkencës së gjuhësisë, prof.dr. Tafil Kelmendi, emër që e mban me nder e krenari kjo shkollë.
Kryeparlamentari Krasniqi i njoftoi nxënësit edhe me disa aspekte të punës së Kuvendit dhe të përbërjes së tij. Ndërkaq, duke folur për ngjarjet që e shënuan vitin 2008, ai tha se brezi që shpalli Pavarësinë kurorëzoi aspiratën shekullore të shumë brezave për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Në emër të nxënësve dhe personelit mësimor u falënderua për këtë pritje drejtori i shkollës, Sahit Kastrati. Kryeparlamentarit Krasniqi me këtë rast iu dhuruan edhe tre libra shkencor të studiuesit , nga më të njohurit në fushën e sintaksës shqipe,Tafil Kelmendi. Shkollës së fshatit Balaj, kryeparlamentari Krasniqi ia dhuroi disa ekzemplarë të dy veprave të tij shkencore.
Nxënësit vizituan edhe ambientet e Kuvendit të Kosovës,me ç’ rast u njoftuan me kushtet e punës së deputetëve.