Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut

, 15.01.2009




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore,Personat e Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Ismet Beqiri, kryetar i Komisionit, kishte sot një takim me përfaqësuesit e Asociacionit të diplomuarve në institucionet private të arsimit të lartë. Përfaqësuesit e këtij asociacioni para anëtarëve të Komisionit shtruan problemin që kanë lidhur me mosnjohjen e diplomave. Në fakt, këta përfaqësues, theksonin se ndihen të diskriminuar për shkak se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ua njeh zyrtarisht diplomat, pra me vendim të shkruar , të diplomuarve të universiteteve private, megjithëse këto universitete kishin licenacat për punë.

Njëkohësisht, Universiteti i Prishtinës nuk i njeh këto diploma si valide, që poseduesit e tyre të kenë të drejtën të marrin pjesë në konkurs për regjistrim në studimet master, në kuadër të këtij universiteti.

Në këtë mënyrë, të diplomuarve nga universitetet private iu mohohet e drejta për vazhdimin e studimeve master në universitetin publik. Ky asociacion shpreh mendimin se me këto veprime të diplomuarve në universitetet private po iu mohohen të drejtat themelore njerëzore në fushën e arsimit.

Në mbledhje u zhvillua një debat i gjerë përkitazi me këtë problematikë. Komisioni i zotua se lidhur me këtë çështje, në një mbledhje që pritet të mbahet javën e ardhshme, do të japë rekomandimet e veta.

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut