Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një grup studentësh nga Venecia

, 16.01.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot një grup prej 100 studentësh nga Venecia, të cilëve u printe profesoresha Marijana Granditsin. Me këtë rast kryeparlamentari u foli studentëve mbi proceset në Kosovë, sidomos që nga 17 shkurti i këtij viti. Në fillim, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se qe një vit Kosova më nuk konsiderohet si vend krize. Që nga 17 shkurti Kosova ka zgjidhur problemin shumëvjeçar,ajo tani është vend sovran që prodhon siguri. Në vijim kryeparlamentari Krasniqi foli për njohjen e Kosovës nga 53 shtete të botës, të cilët përbëjnë 70 për qind të prodhimit të gjithëmbarshëm në botë. Ai shfaqi shpresën se edhe vendet tjera do të vazhdojnë këtë rrugë. Kosova, tha në vazhdim kryeparlamentari Krasniqi, më 9 prill ka aprovuar Kushtetutën, ndërsa më 15 qershor ajo ka hyrë në fuqi. Në këtë periudhë Kuvendi i Kosovës ka aprovuar 91 ligje, nga të cilat 52 dalin nga Pakoja e Ahtisaarit. Me këto ligje rregullohen marrëdhëniet ndëretnike,decentralizimi e trashëgimia kulturore, përkatësisht në këtë mënyrë rregullohet funksionimi i institucioneve vitale të shtetit,siç është Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Viti 2008 ka përmbyllur fazën e konstituimit të institucioneve, por edhe të aprovimit të ligjeve nga fusha e ekonomisë. Në përbërjen e Kuvendit të Kosovës përfaqësohen të gjitha komunitetet, pra në vendimmarrje janë të përfshirë edhe deputetet serbë. Kosova tashmë ka vendosur marrëdhënie shumë të mira më shtetet fqinje. Shpresojmë, tha kryeparlamentari Krasniqi, se edhe Serbia do të kuptojë realitetin e ri në Kosovë dhe do të sillet në funksion të paqes. Kosova ka vendosur bazamentin e shtetit, të një shteti demokratik, në kuadër të të cilit janë të garantuara të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është shtet laik, ku ka tolerancë fetare. Kosova menaxhon mirë me situatën politike dhe të sigurisë. Proceset e këtushme zhvillohen në koordinim me komunitetin ndërkombëtar, sidomos me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, ndërsa sfidë e së ardhmes është anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtar,si: FMN, Bankën Botërore,Këshillin Evropian, OSBE dhe OKB etj.

Në vijim, lidhur me disa aspekte të funksionimit të Qeverisë së Kosovës, para studentëve foli zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili tha se koalicioni qeverisës është duke bërë një punë të frytshme . Angazhimet e Qeverisë janë përqendruar sidomos në tri dimensione:demokratizimi i institucioneve, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale. Reflektim mjaft të fuqishëm për realizimin e këtyre synimeve do të kishte anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Duke i bërë një vështrim realizimit të prioriteteve të shumta të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Kuçi tha se tashmë janë arritur rezultate të rëndësishme sidomos në sferën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik dhe në fushën e arsimit.

Lidhur me strukturën e Kuvendit , si dhe me disa anë teknike të zhvillimit të seancave të Kuvendit të Kosovës, studentët nga Venecia i njohu sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi. Studentët vizituan edhe ambientet e Kuvendit.
Kryeparlamentari  Krasniqi priti një grup  studentësh nga Venecia