Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi nderon dëshmorët në Gjilan

, 17.01.2009




Në përvjetorin e 27 të rëniet së dëshmorëve të lirisë, të Jusuf e Bardhe Gërvalla dhe Kadri Zeka, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka nderuar sot dëshmorët e lirisë në Gjilan, duke vënë buqetë lulesh të freskëta në varrezat e dëshmorëve.

“17 janari është ditë e dhimbshme, por njëherësh edhe ditë krenarie, sepse, në këtë ditë të viti 1982, janë vrarë nga regjimi serb tre atdhetarë të devotshëm, të cilët kanë dhënë çdo gjë nga vetja e tyre për lirinë dhe atdheun”, u ka deklaruar Krasniqi përfaqësuesve të medieve, pas ceremonisë së nderimit për të rënët dhe përshëndetjes me familjarë të shumtë të dëshmorëve nga rrethinat e Gjilanit. “ Ata kanë rënë që në Kosovës të ketë liri, që të ketë drejtësi dhe që populli ynë t’i realizojë aspiraat e tij shekullore”, ka thënë Krasniqi, i cili është shprehur se duhet të bëjmë më shumë për të rënët për lirinë e vendit tonë dhe për familet e tyre që i kanë mbështetur.

Kryeparlamentari Krasniqi, i shoqëruar nga këshilltarët e tij, gjatë qëndrimit në Gjilan ka vizituar familjet e dëshmorëve të Lirisë, Kadri Zeka, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, duke shprehur para familjarëve të tyre gjithë pietetin për të rënët e lirisë.

Në të gjitha këto vizita ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili shoqërohej nga gjenerali shqiptar në pension, Kudusi Lame, si dhe drejtues të tjerë të Komunës.

Në kuadër të manifestimeve tradicionale “Flaka e Janarit”, po sonte në Gjilan do të promovohet libri “Vrasja në Shtudgard” e autorit Apostol Duka, e cila flet për rënien e Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla.

Kryeparlamentari Krasniqi nderon dëshmorët në Gjilan