Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti

, 26.01.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me kryetarin e BDI-së të Republikës së Maqedonisë , z. Ali Ahmeti me bashkëpunëtorë. Tema thelbësore të takimit ishin proceset e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar e ndërpartiak. Në prononcimin para medieve , kryeparlamentari Krasniqi theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Maqedonisë janë mjaft të mira, ashtu si edhe ato me partitë politike, në mënyrë të veçantë me BDI-në, që është edhe në bashkëqeverisje në Qeverinë e Maqedonisë. “Angazhohemi që këto marrëdhënie ndërmjet dy shteteve fqinje t’ i thellojmë edhe më . Kemi shumë obligime për të ndërtuar raporte të reja ndërshtetërore”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi. Në vijim kryeparlamentari Krasniqi tha se në atë ardhmen në këtë kontekst marrëdhëniesh do të ketë cilësi në të gjithë lëmenjtë, duke ditur se ekziston respekt dhe mirëkuptim për thellim të bashkëpunimit të shumanshëm ndërmjet dy shteteve. Në vazhdim kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi lart edhe kontributin e z. Ahmeti në avancimin e çështjes kombëtare.

Kryetari i BDI-së , Ali Ahmeti, në fillim shprehu kënaqësinë që pritet nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi. “Ndihem posaçërisht krenar që këtë vizitë po e bëj në Kosovën e pavarur, nisur edhe nga fakti se shteti i pavarur i Kosovës është njohur edhe nga Republika e Maqedonisë”, tha Ahmeti . Duke folur për temat e takimit të sotëm ai theksoi se është biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar. Së shpejti tha ai shpresohet se do të ketë vizita reciproke ndërmjet Parlamentit të Kosovës dhe të Maqedonisë. Në këtë vështrim iniciativa duhet të merret nga deputetët, të cilit, si theksoi ai, duhet të ndërmarrin nisma në këtë aspekt, drejt krijimit të klimës dhe ambientit për fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Parlamentit të Kosovës dhe atij të Maqedonisë. Si dy vende fqinje këto dy shtete kanë mundësi të ndihmoj në njëri tjetrin, tha Ahmeti.
Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin  e BDI-së, Ali Ahmeti