Lajmet e fundit

Dëgjim publik organizuar nga Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media

, 27.01.2009




Krijimi i një baze të qëndrueshme ligjore për funksionimin e transmetuesit publik, gjetja e një formule sa më të mirë për financimin e këtij transmetuesi, duke ruajtur pavarësinë editoriale, përcaktimi i pronës së RTK-së, si dhe çështja e punonjësve të RTP-së, ishin tema themelore që tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve të dëgjimit të sotëm publik, lidhur me amendamentimin e Ligjit pёr RTK-në, të organizuar nga Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Esat Brajshori, kryetar i Komisionit.

Me këtë rast, u tha se pa u zgjidhur çështja e financimit të qëndrueshëm nuk mund të flitet për një veprimtari të mbarë të transmetuesit publik, ndaj duhet të gjenden zgjidhje sa më të mira ligjore për të vënë rregull në këtë segment. Përfaqësuesit e KEK-ut insistonin që çështja e realizimit të parapagimit të RTK-së në të ardhmen mos t’ i mbetet barrë KEK-ut, por të gjendet një agjension nëpërmjet tenderit , i cili do të inkasojë taksën për transmetuesin publik. Kur është fjala te parapagimi, u tha se ka vërejtje të shumta nga qytetarët se disa rajone të Kosovës nuk janë duke u mbuluar me sinjal televiziv, ndaj edhe kundërshtojnë të paguajnë taksën për RTK-në. Me tone mjaft revoltuese shoqëroheshin diskutimet e ish-punonjësve të RTP-së, të cilët këmbëngulnin që çështja e pronës së transmetuesit publik të përcaktohet me ligj. Ata propozonin me ngulm që RTK-ja ose të trashëgojë pronën duke marrë njëkohësisht për obligim, që të gjithë punonjësit e RTP-së të kthehen në punë, ose në të kundërtën RTK-ja të heqë dora nga prona, ku aktualisht është i vendosur. Edhe diskutues të tjerë angazhoheshin që çështja e pronës të zgjidhet në kuadër të ndryshimeve të këtij Ligji.

Një pjesë e madhe e debatit iu kushtua edhe çështjes së transparencës së RTK-së, e cila sipas diskutuesve nuk është në nivel. Në këtë vështrim u tha se për shumë gjëra ekzistojnë zgjidhje mjaft të mira në ligjin ekzistues, por e keqja është se ky ligj nuk po zbatohet. Lidhur me këtë u tha se në Ligj përcaktohen mirë afatet e zgjedhjes së drejtorit dhe të Bordit të RTK-së, por në praktikë kjo nuk po ndodh. Ligji përcakton edhe çështjen e transparencës dhe të llogaridhënies së transmetuesit publik , por qytetarëve , përkatësisht taksapaguesve nuk u ofrohet transparencë e duhur për veprimtarinë e RTK-së.
Dëgjim publik organizuar nga Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media