Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti diplomatin shqiptar në Prishtinë, Arben Çejku

, 27.01.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zoti Jakup Krasniqi, priti sot në një takim lamtumirës të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, zotin Arben Çejku, cili këto ditë largohet nga Kosova dhe e merr detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Shkup. Së shpejti pritet të vijë në Kosovë ambasadori i sapo emëruar, Islam Lauka.

Kryetari Krasniqi falënderoi zotin Çejku për bashkëpunim dhe për misionin e tij të suksesshëm në Kosovë. Ai vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të cilat duhet thelluar në të gjitha fushat. Projektet madhore të infrastrukturës, tha ai, do të jenë lehtësim i komunikimit dhe i qarkullimit të njerëzve e të mallrave midis dy vendeve, por edhe në rajon.

Krasniqi i uroi diplomatit shqiptar suksese në karrierën e ti të mëtejme .

Largohem nga Kosova me përshtypje më të mira, tha zoti Çejku. “Pavarësisht se ku do të ndodhem, unë do të vazhdojë të jem i lidhur ngushtë në Kosovën dhe do të ruajë krenarinë për misionin në Kosovë, ku pata privilegjin të jem pjesë dhe dëshmitar i proceseve historike të saj”, është zotuar diplomati shqiptar.

Ai ka theksuar se në Kosovë është ndërruar një faqe e rëndësishme e historisë dhe se progreset në Shqipëri dhe në Kosovë, janë premisa të mira për të gjithë rajonin dhe paqen e tij.
Kryeparlamentari Krasniqi priti diplomatin shqiptar në Prishtinë, Arben Çejku