Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

, 28.01.2009




Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, i drejtuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, ka miratuar sot Raportin e punë së Komisionit gjatë vitit 2008, si dhe ka shqyrtuar në parim i Projektligjit për Protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës.

Nga 14 shkurti i vitit 2008, kur është konstituuar Komisioni e deri në fund të vitit, komisioni ka mbajtur trembëdhjetë mbledhje,  ka përgatitur propozime dhe rekomandime për çështje të rëndësishme, të cilat duheshin trajtuar në Kuvend, si dhe ka përgatitur dy deklarata: Deklaratën lidhur me iniciativën e paraqitur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për ta referuar çështjen e legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës te Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Deklaratën e përbashkët me komisionin homolog të Shqipërisë, është thënë në takim.

Në raportin e punës përmenden edhe takimet e shumta me delegacionet dhe funksionarët e parlamenteve të vendeve të ndryshme, që e kanë vizituar Kosovën, si dhe takimet me përfaqësues të ndryshëm të mekanizmave ndërkombëtarë, por dhe vizitat e anëtarëve të komisionit në Belgjikë, Slloveni, Shqipëri dhe Turqi.

Duke e shqyrtuar Projektligjin për Protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës, anëtarët e komisionit janë pajtuar njëzëri se një ligj i tillë është i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve shtetërore të Kosovës. Ata e kanë përkrahur në parim projektligjin në fjalë, por se kanë theksuar se ai duhet të plotësohet dhe amendamentohet, në një masë të konsiderueshme, për ta bërë funksional.
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme