Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të Malit të Zi

, 28.01.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me një delegacion të Malit të Zi, të prirë nga nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, z. Rifat Rastoder. Duke i uruar mirëseardhje delegacionit, kryeparlamentari Krasniqi në fillim foli për gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës dhe të institucioneve tjera për të ndërtuar marrëdhënie të reja, gjithsesi edhe më të drejtpërdrejta me Malin e Zi. Ai shprehu mirënjohje për njohjen e Kosovës nga ana e Malit të Zi, njohje që erdhi në një moment tejet të rëndësishëm. Kryeparlamentari Krasniqi shfaqi shpresën sa pas zgjedhjeve në Mal të Zi do të thellohet edhe më bashkëpunimi ndërparlamentar e ndërshtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës. Një pjesë të fjalës së tij kryeparlamentari Krasniqi ia kushtoi të arriturave në Kosovë, sidomos që nga 17 shkurti i vitit që shkoi. Në këtë vështrim ai përmendi miratimin e simboleve shtetërore të Kosovës, të Kushtetutës dhe të 91 ligjeve, 52 nga të cilat dalin nga Plani Gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisari, e që kryesisht kanë të bëjnë me të drejtat e pjesëtarëve të komuniteteve, me ruajtjen e trashëgimisë së tyre kulturore dhe decentralizimin. Edhe në fushën e legjislacionit janë arritur rezultate të rëndësishme, tha kryeparlamentari Krasniqi, duke përmendur në këtë vështrim edhe miratimin e ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, atë për FSK-në dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Një vëmendje e posaçme po i kushtohet komuniteteve pakicë. Ai, më këtë rast, ka theksuar se komunitetet pakicë janë integruar mirë në shoqërinë e Kosovës, pos komunitet serb. Sa i përket rregullimit të pozitës së komuniteteve në sistemin e gjithëmbarshëm , Kosova aplikon standarde më të avancuara në Rajon. “Kosova angazhohet për ndërtimin e një shoqërie të re, mirëpo këtë mundësi komuniteti serb nuk po e shfrytëzon. Për fat të keq kësaj po i kontribuon edhe Serbia, e cila nuk është e interesuar për vendosjen e marrëdhënieve normale me Kosovën. Jemi të vendosur në angazhimin për të ndryshuar të sotmen drejt një të ardhme sa më të mirë”, tha kryeparlamentari Krasniqi. Në vazhdim kryeparlamentari përmendi marrëdhëniet shumë të mira të Kosovës me shtet fqinje. Në këtë vështrim ai përmendi marrëdhëniet e mira me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë.”Na gëzon fakti për atë që ka bërë Mali i Zi drejt integrimeve evropiane. Në këtë aspekt ne kemi çka të mësojmë nga ju për integrime ne BE. Hap pas hapi , duke ndërtuar marrëdhënieve të mira do të integrohemi së bashku në BE. Kemi gatishmëri të lartë që këto marrëdhënie të avanacohen sa më shumë, përkatësisht ky vullnet të ngritet edhe më drejt thellimit të marrëdhënieve sa më të mira ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Në fillim të fjalës së tij , nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, z. Rifat Rastoder, shprehu kënaqësinë për këtë vizitë.”Kemi ardhur në shtëpinë e miqve me dyer të hapura”, theksoi Rstoder. Duke i bërë një vështrim njohjes së Kosovës nga Mali i Zi ai tha se ne lidhur me këtë çështje jemi nisur nga realiteti. Ndërkaq,qëllim ynë i përbashkët është ndërtimi i shtetit pas gjithë asaj që kemi paguar. Të ndërtojmë paqe afatgjate na Rajon, të ndërtojmë marrëdhënie të tilla, në kuadër të të cilave qytetarët ta duan shtetin ku jetojnë, ta ndiejnë atë shtëpi të ngrohtë të tyre. Të këmbejmë përvoja për të ndihmuar njëri-tjetrin. Ne kemi ardhur në këtë vizitë me ftesë të Shoqatës së së Malazezve të Kosovës. Është mirë të bisedojmë edhe për pozitën e komunitetit malazias këtu, duke u nisur edhe nga fakti se malaziasit duan të jenë pjesë e qenies së Kosovës. Është mirë që të shikohen edhe mundësitë për kthimin e të shpërngulurve nga komuniteti malazias, tha Rastoder.

Duke u ndërlidhur më këtë temë kryeparlamentari Krasniqi shprehu keqardhje për faktin që komuniteti malazias nuk gjeti vend në Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, megjithëse komuniteti pakicë nuk përfshihet në Kushtetutë, ata i gëzojnë të gjitha të drejtat. Shprehim gatishmëri të plotë , tha kryeparlamentari Krasniqi, për të gjetur një formulë për zgjidhjen e kësaj çështjeje në mënyrën më të mirë. Edhe si Kuvend, ne do të bëjmë përpjekje që një numër të qytetarëve malazias të pranojmë në marrëdhënie pune në këtë institucion. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur, në bashkëpunim edhe me ekspertë, që komuniteti malazias të integrohet në shoqërinë kosovare, tha kryeparlamentari Krasniqi.

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës , Xhezair Murati i bëri një pasqyrë shumë shkoqitëse pjesëmarrjes së komuniteteve në strukturat e Kuvendit, por edhe në segmente të tjera të shoqërisë kosovare. Ai shprehu bindjen se edhe për komunitetin malazias do të krijohen hapësira për integrim të denjë në shoqërinë kosovare.
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të Malit të Zi