Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetik, Transport dhe Telekomunikacion

, 03.02.2009




Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetik, Transport dhe Telekomunikacion, të cilin e kryesoi kryetarja e komisionit, znj. Myzejene Selmani, sot ka mbajtur mbledhjen në të cilën si pikë kryesore e rendit të ditës ishte Informimi i Ministrit për Tregti dhe Industri, z. Lutfi Zharku, lidhur me marrëveshjen e CEFTA-së si dhe lidhur me Ligjin për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë.

Në mbledhjen e përmendur, krahas anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit nga Ministria për Tregti dhe Industri, të udhëhequr nga Ministri Lutfi Zharku si dhe përfaqësuesit e USAID-it.

Në fillim të fjalës së tij, Ministri për Tregti dhe Industri, z. Zharku, ka theksuar që nënshkrimi i marrëveshjes me CEFTA-n (në vitin 2007 ) dhe deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar gjithçka funksiononte si duhet, mirëpo nga muaji i përmendur, do të thotë kur Serbia dhe Bosnja e Hercegovina filluan të mos lëshojnë leje për eksport transit të mallrave të Kosovës, atëherë filloi të paraqitet edhe ky problem. Me qëllim që të tejkalohet gjendja e lartpërmendur dhe që të kthehen në një normalitet, Ministria për Tregti dhe Industri e Republikës së Kosovës disa herë ka kërkuar nga organizatat përgjegjëse të CEFTA-së që të gjejnë ndonjë zgjidhje me qëllim të daljes nga kjo situatë e pakëndshme. Gjer më tani nga organizata CEFTA askush nuk ka informuar zyrtarisht si Qeverinë e Kosovës po ashtu edhe Ministrinë për Tregti dhe Industri, lidhur me atë se çfarë është bërë në këtë aspekt, do të thotë se çfarë vendimi është marrë me qëllim të zhbllokimit të eksportit transit të mallrave të Kosovës si në tregjet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, po ashtu edhe në tregjet e vendeve të treta. Në fund të fjalës së tij ministri Zharku ka theksuar që në mbledhjen e ardhshme në Prishtinë do të mbahet një takim i përbashkët i përfaqësuesve të Kosovës dhe të CEFTA-së ku edhe një herë do të bisedohej lidhur me modalitetet për dalje nga situata e përmendur dhe me një kënaqësi të dyanshme. Përndryshe, siç ka theksuar ministri Zharku, Qeveria e Republikës së Kosovës disponon me Planin dhe programin për veprim në situatën e re të krijuar dhe se i njëjti do të implementohet nëse nuk do të vije deri te një qëndrim i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës me organizatën CEFTA.

Në vazhdim të mbledhjes anëtarët e Komisionit kanë marrë vendim që të formohet Grupi punues, i përbërë nga pesë anëtarë, i cili do të nxjerrë Rekomandimin lidhur me këtë çështje, dhe se i njëjti do i dërgohet Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e njëjtë, Ministri Zharku, duke folur lidhur me Ligjin për tregti me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë ka theksuar se deri në muajin qershor të vitit të kaluar, në të gjitha pikat doganore të Kosovës, në laboratorë të specializuar është bërë analiza e kualitetit të naftës dhe derivateve të saja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Në vazhdim Ministri Zharku ka theksuar që momentalisht kualiteti i naftës dhe derivateve të saja është në nivel të kënaqshëm, dhe se është obligim i Inspektoratit për kontrollin e naftës dhe derivateve të naftës që për çdo dy muaj të bëjnë kontrollin e kualitetit të naftës të importuar si dhe të derivateve të saja.
Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetik, Transport dhe Telekomunikacion