Lajmet e fundit

Dëgjim publik organizuar nga Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media

, 06.02.2009




Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media, i kryesuar nga Esat Brajshori, kryetar i Komisionit, organizoi sot një dëgjim publik lidhur me amendamentimin e Ligjit pёr Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Transmetimin, nr. 02/L – 15. Nisma për ndryshimin e këtij Ligji, e ndërmarrë nga ky Komision, ka ardhur si rrjedhojë,pos tjerash, edhe për shkak të krijimit të rrethanave të reja në Kosovë, sidomos pas aprovimit të Kushtetutës . Në këtë dëgjim publik ishin ftuar përfaqësues të KPM-së, si dhe përfaqësues të tjerë të mediave. Gjatë debatit u tha se pikësynim me rastin e ndryshimit të këtij Ligji nuk duhet të jetë angazhimi vetëm sa për të bërë ndryshime, por për të parë se ku kanë qenë defektet në praktikë .Pra, të bëhen ndryshime, kur shihet qartas se ato janë të nevojshme të bëhen. Në këtë mënyrë Ligji do të ishte më funksional, përkatësisht do të bëhej një ligj i qëndrueshëm sipas standardeve evropiane, i cili do të vinte rregull në hapësirën mediale të Kosovës, posaçërisht në aspektin e ngritjes profesionale dhe të ruajtjes së medieve nga ndikimet e jashtme. Diskutuesit i kushtuan vëmendje të veçantë edhe faktit që me ndryshimet e reja të ruhet pavarësia instituconale e KPM-së. Vërejtjet u përqendruan edhe në çështjen e nominimit të anëtarëve të këtij institucioni. Përkitazi me këtë u tha se duhet të gjinden zgjidhje, të cilat do të siguronin që procesi i nominimi të anëtarëve të KPM-së të jetë i qartë,sidomos në aspektin e përcaktimit të afateve të zgjedhjes së anëtarëve të KPM-së, sepse ndryshe kjo krijon hapësirë për kufizime, që shkojnë deri në bllokim të këtij institucioni. Ligji duhet të pastrohet edhe nga përgjithësimet e shumta të deritashme.
Dëgjim publik organizuar nga Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media