Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 03.03.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e ardhshme plenare të mbahet më 12 mars 2009, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Në fillim të seancës Kabineti qeveritar do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse në vazhdim do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi lidhur me zbatimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale (pikë e mbetur nga seanca e shkuar).

Në seancë do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, ai për Themelimin e Departamentit për Mjekësi Ligjore, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tregtinë me naftë dhe me derivate të naftës në Kosovë (nr. 2004/5). Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve (nr. 2004/17), Projektligji për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, si dhe Projektligji për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave në bashkëpronësi.

Kryesia, duke e shqyrtuar propozimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për emërimin e një anëtari të Komisionit për Kërkesa Pronësore, e ka ngarkuar Komisionin për Legjislacion dhe Gjyqësi që ta shqyrtojë propozimin e kësaj gjykate dhe në seancën e 12 marsit t’ia paraqesë Kuvendit Raportin me rekomandime.

Në mbledhje e sotme të Kryesisë është shqyrtuar edhe kërkesa e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për radhitjen në seancë plenare të shqyrtimit të peticionit të shoqërisë civile kundër ngritjes së tarifave të energjisë elektrike. Kryesia ka vlerësuar se duhet përgatitur mirë para debatit parlamentar për këtë çështje. Në ndërkohë, është thënë në takim, pritet të arrijnë edhe rekomandimet e Komisionit për Tregti dhe Industri, të cilin, kohë më parë, Kryesia e kishte ngarkuar të përgatisë rekomandimet lidhur me tarifat e propozuara të energjisë elektrike.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit