Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

, 06.03.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e komisioneve parlamentare për të shqyrtuar procedimin e projektligjeve nga komisionet parlamentare, si dhe Planin e veprimit të Kuvendit për sfidat e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2009.

Pa funksionimin e mirë të komisioneve parlamentare nuk mund të ketë punë të suksesshme të legjislativit të vendit, ka theksuar kryeparlamentari Krasniqi, i cili ka kërkuar që të dinamizohet edhe më puna e komisioneve, përfshirë këtu hartimin e planeve të punës (me formë unike), si dhe krijimin e ambientit për debat të kulturuar në takimet e punës.

Në mbledhje janë përmendur disa projektligje, të cilat janë vonuar për miratim, e në mënyrë të veçantë është vënë në pah vonimi i amendamentimit të Projektligjit për shitjen e banesave, në të cilat ekziston e drejta banesore, për shkak të ndonjë bllokade jashtë Kuvendit dhe nga ndonjë anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve, për shkak të interesave personale të tyre.

Vonesa ka pasur, ndërkaq, edhe për miratimin përfundimtar të Projektligjit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, të atij për Mbrojtje nga rrezatimi jojonizues, jonizues dhe siguria nukleare, Projektligjit për produktet Biocide, të atij për Masat Antidamping, Ligjit për shpronësimet për interes publik etj.

Është debatuar gjatë edhe për Projektligjin për të drejtat sendore, (ligj i miratuar por i pashpallur), i cili ishte kthyer për rishqyrtim, por që ishte rihartuar nga Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi.

Në këtë takim, ndër defektet kryesore të legjislacionit të miratuar janë theksuar projektligjet jocilësore që vijnë nga sponsorizuesit dhe për pasojë numri tepër i madh i amendamenteve për këto projektligje.

Duke folur për Planin e veprimit të Kuvendit për sfidat e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2009, kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar që komisionet t’i identifikojnë detyrat e tyre nga ky plan, si dhe t’i paraqesin vërejtjet e tyre, për sa u përket detyrave dhe kohës së realizimit të tyre.
Kryeparlamentari Krasniqi takoi kryetarët e komisioneve parlamentare