Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media

, 17.03.2009




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media, të kryesuar nga Esat Brajshori, kryetar i Komisionit, temë thelbësore ishte shqyrtimi i Propozim Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për sfidat e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2008. Me këtë rast u zhvillua një debat i gjerë nga ana e anëtarëve të Komisionit, i cili zhvillohej në dy aspekte: obligimet që dalin nga ky dokument në fushat që përfshin ky Komision dhe në disa vërejtje lidhur me këtë dokument,që kishin të bënin me disa mospërputhje sipas afateve, se kur do të duhej të shqyrtoheshin e kryheshin disa obligime nga ky komision , duke ditur se parashikimet ishin bërë për tërë vitin, ndërsa tashmë është gati në përfundim tremujori i parë. Në këtë frymë u tha se ky dokument ,madje është shumë i ngarkuar dhe është shumë vështirë të përmbushet brenda vitit 2009. Po kështu, u tha se ka nevojë që disa fusha nga ky Propozim Plan, i cili pritet të dalë në shqyrtim në Kuvend,të saktësohen e përvijohen më mirë, si dhe të jenë në pajtim me fushëveprimin e komisioneve përkatëse.

Në shumësinë e obligimeve që dalin nga ky dokument, anëtarët e Komisionit shquan sidomos ato që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, reformën e administratës, pavarësinë e medieve, regjistrimin e popullsisë etj. Në këtë vështrim, posaçërisht u shtrua nevoja për shpejtimin e proceseve të regjistrimit të popullsisë dhe të sendërtimit të reformës në administratë.
Mbledhja e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media