Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Zhdukur dhe Peticione

, 17.03.2009




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Zhdukur dhe Peticione, nën kryesinë e kryetarit të Komisionit, z. Ismet Beqiri, mbajti sot mbledhje në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte Peticioni, i nënshkruar nga 125 magjistra të shkencave mjekësore të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Zhdukur dhe Peticione, morën pjesë edhe disa magjistra të shkencave mjekësore të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, si nënshkrues të peticionit të lartpërmendur.

Duke folur në emër të nënshkruesve të peticionit, Shqiptar Demaçi, theksoi se magjistrat e shkencave mjekësore të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, në Peticionin e tyre kërkojnë që t’u mundësohet vazhdimi i studimeve të doktoratës, sipas rregullave statusore që kanë qenë në fuqi në kohën e regjistrimit të studimeve postdiplomike (viti 2005). Në Peticion kërkohet njëkohësisht që konkursi, i publikuar në gazeta (në janar të këtij viti) të anulohet dhe të gjithë nënshkruesve të peticionit t’u mundësohet e drejta për përkryerje të mëtejme, përkatësisht për regjistrim të doktoratës.

Në fund të kësaj mbledhjeje, anëtarët e Komisionit në fjalë u pajtuan që për mbledhjen e ardhshme të Komisionit, të ftohet Ministri i Arsimit dhe i Shëndetësisë, kryetari i Senatit të Universitetit të Prishtinës, rektori i Universitetit të Prishtinës, dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, si dhe inspektori i arsimit.
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Zhdukur dhe Peticione