Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 23.03.2009




Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta mbajë seancën plenare të radhës më 26 mars 2009, ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.

Në fillim të seancës Kabineti qeveritar do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse në vazhdim do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullatorin e energjisë (nr. 2004/9), kurse për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për shpronësimin e pronës se paluajtshme.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen vërejtjet e Presidentit në Ligjin për tubimet publike (nr. 03/118), si dhe Raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për veprimtarinë private në shëndetësi (nr.2004/50).

Do të shqyrtohet, ndërkaq, edhe propozim-vendimi për formimin e Komisionit Parlamentar Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit te RTK-së, nëse në ndërkohë të 18 partitë politike të përfaqësuara në Kuvend i propozojnë kandidatët e tyre për anëtarë në këtë komision.

Duke shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetik, Transport dhe Telekomunikacion, lidhur me Raportin konsultativ të Tarifave për energji elektrike për vitin 2009, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të vazhdojë konsultimet me komisionin, me shefat e grupeve parlamentare, me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe të interesuar të tjerë, lidhur me tarifat e energjisë elektrike, para se çështja të radhitet për shqyrtim në seancë plenare.

Duke e shqyrtuar, ndërkaq, propozimin e Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës për emërimin e anëtarit joekzekutiv të Bordit drejtues të BQK-së, Kryesia e ka autorizuar Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të përgatisë raportin me rekomandime për këtë çështje.

Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar në takimin e sotëm me Raportin e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji lidhur me zbatimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe te drejtat e përafërta; me shkresën e Qeverisë së Kosovës, lidhur me kërkesën e Kuvendit për saktësimin datave për procedimin e projektligjeve në Programin e punës së Kuvendit për vitin 2009, si dhe për fillimin e punës së Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Kosovës.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit