Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport

, 25.03.2009




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport, i kryesuar nga Agim Veliu , kryetar i Komisionit, shqyrtoi sot kërkesën e stafit akademik të Degës së Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë për vazhdimin e studimeve të doktoraturës, si dhe kërkesën e magjistrave të shkencës mjekësore të magjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë për vazhdimin e studimeve të doktoratës. Para Komisionit, ku ishte i pranishëm edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Enver Hasani, këto kërkesa i prezantuan Kujtim Shala dhe Luan Jaha. Kërkesat e tyre themelore ishin që të kenë qasje në vazhdimin e studimeve të doktoraturës kandidatët që janë regjistruar sipas konkursit të vitit 2005 dhe magjistrantët.

Në Komision u zhvillua një debat i gjerë lidhur me këtë çështje. Rektori Enver Hasani theksoi se këto kërkesa bien ndesh me Ligjin mbi Arsimin e Lartë,Statutin e Universitetit të Prishtinës dhe Kartën e Bolonjës. Sa i përket konkursit të vitit 2005 ai theksoi se ai nuk përfillte kriteret e duhura , madje asnjë kandidat nga ai konkurs nuk ka indeks valid. Rektori Hasani tha se ai nuk mund të marrë përgjegjësinë për thyerjen e ligjit dhe statutit në fuqi.

Anëtarët e Komisionit ishin të mendimit se nuk mund të ndërhyjnë në autonominë e Universitetit . Punë e Komisionit është të shohë si zbatohen ligjet dhe a ka nevojë për ndonjë ndryshim të tyre. Nëse konstatohen lëshime të ndryshme mbi baza ligjore, sidomos kur është fjala për konkursin për studimet posdiplomike të 19 janarit të këtij viti, atëherë kandidatët eventualë të dëmtuar mund t’ iu drejtohen organeve të drejtësisë. Kryetari i Komisionit , Agim Veliu, e përmbylli këtë dëgjim duke theksuar se pas konsultimeve edhe me komisionet tjera të Kuvendit të Kosovës, ku është shqyrtuar e njëjta problematikë, do të jepen edhe rekomandimet përkitazi me këtë çështje.
Mbledhja e Komisionit për Arsim Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport