Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione

, 24.03.2009




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të cilin e drejtoi kryetari i Komisionit, z. Ismet Beqiri, sot mbajti mbledhje në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi ( për herë të dytë) i Peticionit të nënshkruar nga 125 magjistrat e shkencave të mjekësisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe ministri i Ministrisë për Arsim, Shkencë e Teknologji, z. Enver Hoxhaj, ministri i Shëndetësisë, z. Alush Gashi,rektori i Universitetit të Prishtinës, z. Enver Hasani, dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, z. Qazim Hysenaj, disa magjistra të shkencave të mjekësisë Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, si dhe nënshkruesit e Peticionit.

Duke folur në emër të nënshkruesve të Peticionit, Dr. Shqiptar Demaqi theksoi se magjistrat e shkencave të mjekësisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, në Peticionin e vet kërkojnë që t’iu mundësohet vazhdimi i studimeve të doktoratës sipas rregullave statusore që ishin në fuqi kur ata kanë konkurruar për regjistrimin e studimeve postdiplomike, pra në vitin 2005. Njëherazi, nënshkruesit e Peticionit kërkojnë që konkursi i cili është shpallur në gazetat publike (Janar 2009), të publikohet i pavlefshëm dhe të gjithë nënshkruesve të peticionit t’u mundësohet e drejta për përsosjen e mëtejme, d.m.th. të regjistrojnë doktoratën.

Duke e marrë fjalën rektori i Universitetit të Prishtinës, z. Hasani, krahas tjerash theksoi që, kërkesat e nënshkruesve të Peticionit nuk mund të merret parasysh, për shkak se ai konkurs i vitit 2005 ka qenë në kundërshtim me Ligjin për arsimin superior, në kundërshtim me statutin e Universitetit të Prishtinës dhe në kundërshtim me Konventën e Bolonjës. Njëherazi, nënshkruesit e peticionit nuk kanë punime të mjaftueshme profesionale, si dhe njëherit Rektorati nuk ka mjete të mjaftueshme financiare, pra kredi për doktoratat e tyre. Në fund, z. Hasani theksoi që nënshkruesit e Peticionit nuk kanë të drejtë që sipas planit dhe programit të vjetër të përgatisin disertacionin e doktoratës por duhet që, sipas konventës së Bolonjës, të ndjekin studimet e doktoratës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Hoxhaj, si dhe ministri i Shëndetësisë, z. Gashi, theksuan që për shkak të autonomisë së Universitetit të Prishtinës, ministritë nuk kanë të drejtë të përzihen dhe të intervenojnë në raste të tilla por, janë të gatshëm të pranojnë ç’do marrëveshje e cila i kënaqë të dy palët.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, z. Hysenaj, theksoi se për shkak të situatës të krijuar, është formuar Komision i posaçëm, i cili përbëhet nga përfaqësuesit e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, ata të Dekanatit, si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, të cilët në një afat shumë të shkurtër do të ulen dhe të tentojnë për të gjetur zgjidhje dhe dalje nga kjo situatë.

Në fund të kësaj mbledhje, pas diskutimeve gjithëpërfshirëse të anëtarëve të Komisionit, erdhi te përfundimi që të pritet raporti i Komisionit të posaçëm dhe pas kësaj të dilet me rekomandime nga ana e këtij Komisioni.
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione