Lajmet e fundit

Ismet Beqiri priti Komisionarin për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Tomas Hammarberg

, 26.03.2009




Kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Ismet Beqiri, ka pritur sot Komisionarin për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Tomas Hammarberg, me të cilin ka biseduar për rrjedhat aktuale që kane të bëjnë me katër fushat që i mbulon ky komision, sidomos sa i përket garantimit dhe realizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë.

Kryetari i Komisionit z. Beqiri, ka theksuar se në Kosovë ka të arritura të konsiderueshme sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut, por që sigurisht ka ende për t’ u bere në këtë fushë. Në vazhdim z. Beqiri theksoi se ligjet që miratohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës janë të harmonizuara me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe me standardet më të larta të Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht Komisioni bën monitorimin e miratimit dhe zbatimit të këtyre ligjeve. Në këtë takim z. Beqiri po ashtu theksoi nevojën që sa ma parë të zgjidhet Ombudspersoni i Kosovës, të hartohet dhe miratohet ligji për familjet e të pagjeturve dhe disa ligje të tjera nga fusha e të drejtave të njeriut dhe barazia gjinore.

Komisionari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Tomas Hammarberg, me këtë rast u falënderua për këto informacione, duke theksuar se Komisionari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës vëren përparime në Kosovë, por edhe sfida në lëmin e të drejtave të njeriut. Z. Hammarberg shfaqi interesim të veçantë edhe për çështjen e personave të pagjetur dhe për Avokatin e Popullit, si dhe inkurajoi Komisionin për punën që po bën dhe duhet bërë në të ardhmen.
Ismet Beqiri priti Komisionarin për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Tomas Hammarberg