Lajmet e fundit

Në Prishtinë do të mbahet takimi ndërparlamentar PE-Kosova

, 03.04.2009




Të hënën dhe të martën (më 6 dhe 7 prill 2009), në Kuvendin e Kosovës do të mbahet takimi i dytë ndërparlamentar ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kosovës.

Delegacionin gjashtë anëtarësh të Parlamentit Evropian, e kryeson znj. Doris Pack kurse atë të Kuvendit të Kosovës, në përbërje të të cilit ka anëtarë të Kryesisë, kryetarë komisionesh dhe përfaqësues të komuniteteve, e kryeson kryeparlamentari, Jakup Krasniqi. Në takim, ndërkaq, do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Qeverisë dhe të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë.

Do të trajtohen çështje të funksionimit të institucioneve dhe të forcimit të demokracisë, situata politike dhe ekonomike e vendit, situata e gjyqësorit dhe e bashkëpunimi rajonal në fushën e integrimit evropian, si dhe të drejtat e komuniteteve dhe pakicave.

Në takim pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët.

Nga takimi i parë që mbahet të hënën, në sallën C-301, duke filluar në orën 16:00 dhe në takimin e dytë, të martën në orën 9:00, do të ketë vetëm xhirime dhe fotografime, kurse konferenca e shtypit e kryeparlamentarit Krasniqi dhe europarlamentares Doris Pack, do të mbahet në Press Qendrën e Kuvendit, po ditën e martë, në orën 12:00.