Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor

, 14.04.2009




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, të cilin e kryesoi nënkryetari i parë i Komisionit, z. Naim Maloku, mbajti sot mbledhjen, në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Raportit të institucioneve të pavarura, të cilat i raportojnë Kuvendit të Kosovës dhe janë të fushëveprimit të këtij komisioni.

Përveç anëtarëve të Komisionit, në mbledhje ishin të pranishëm edhe ministri për Mbrojtje të Mjedisit dhe për Planifikim Hapësinor, z. Mahir Yagcilar, përfaqësuesi i Këshillit të Ujërave të Kosovës, z. Ali Shala dhe përfaqësuesi i Zyrës së Rregullatorit të Ujërave dhe të Mbeturinave, z. Afrim Lajçi.

Në mbledhje, ministri Yagcilar, theksoi se ndërmjet Ministrisë për Mbrojtje të Mjedisit dhe për Planifikim Hapësinor dhe Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, ekziston bashkëpunim i shkëlqyeshëm dhe është i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Sa i përket Këshillit për Ujërat e Kosovës, shtoi se është themeluar në legjislaturën paraprake të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por deri sot nuk është zgjedhur kryetari i tij dhe nuk ka pasur kurrfarë aktivitetesh. Sa i përket Zyrës së Rregullatorit të Ujërave dhe të Mbeturinave është aktive që nga viti 2004. dhe para pak ditësh ua ka dorëzuar raportin vjetor për vitin 2008 të gjitha institucioneve kryesore të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë mbledhje, anëtarët e Komisionit, pasi i dëgjuan ministrin z. Yagcilar dhe përfaqësuesin e Këshillit të Ujërave të Kosovës, Ali Shalën dhe Afrim Lajçin, përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Ujërave dhe të Mbeturinave, nxorën përfundim, sipas të cilit, në formë të shkruar, duhet të informohet Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës se Zyra e Rregullatorit për Ujërat e Përdorura dhe për Mbeturina, funksionon në bazë të Ligjit nr. 03/L-086, i cili aktualisht është në fuqi, ndërsa Këshilli për Ujërat e Kosovës nuk funksionon. Do të duhej që në afat prej 2 javësh, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, të jetë në funksion.

Në këtë mbledhje anëtarët e Komisionit diskutuan edhe për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbeturinat.
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor