Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e Jashtëm slloven, Žbogar

, 21.04.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Žbogar, i cili shoqërohej me drejtues sektoresh nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes së këtij vendi.

Në takim është biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe për përfitimet e dyanshme nga ky bashkëpunim.

Kryeparlamentari Krasniqi, pasi i ka dëshiruar mirëseardhje delegacionit slloven, e ka falënderuar ministrin Žbogar, për pritjen e ngrohtë që i është bërë ditë më parë në Slloveni dhe për të gjitha takimet me shtetarët e atjeshëm. Ai në vazhdim ka folur për punën legjislative të Kuvendit, me theks të veçantë për miratimin e korpusit të ligjeve nga Pakoja e Ahtisarit.

Duke folur për punën e madhe të institucioneve të Kosovës për integrimin e qytetarëve serbë në shoqërinë e Kosovës, Krasniqi ka ritheksuar se Beogradi zyrtar vazhdon tratativat për yshtjen e serbëve që të mos integrohen dhe ta pengojnë decentralizimin, i cili në fakt garanton standarde të larta të të drejtave të komunitetit serb, duke konstatuar me keqardhje se mospranimi i ofertës së institucioneve të Kosovës, i dëmton më së shumti vetë serbët. Krasniqi është shprehur i bindur se një politikë më unike e BE-së lidhur me Kosovën do të ndihmonte shumë për integrimin e qytetarëve serbë në shoqërinë e Kosovës.

Ministri slloven i Punëve të Jashtme, Samuel Žbogar, i ka vlerësuar shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, sidomos atë në sferën e ekonomisë, kurse ka theksuar se janë të dukshme investimet sllovene në Kosovë, dhe se sheh hapësira të mira për investime në ekonominë e Kosovës.

Duke shprehur bindjen e tij se marrëdhëniet ndërmjet dy parlamenteve do të vazhdojnë të forcohen edhe më tej, Žbogar ka pohuar se Kuvendi i Kosovës mund të përfitojë shumë nga përvojat sllovene drejt integrimit evropian.
Kryeparlamentari Krasniqi priti  ministrin e Jashtëm slloven, Žbogar