Lajmet e fundit

Komisionit për Integrime Evropiane priti ish-deputetin e Bundestagut gjerman, Zoepel

, 02.07.2009




Komisioni për Integrime Evropiane ka pritur sot ish-deputetin e Bundestagut gjerman, Dr. Christoph Zoepel, i cili ka ushtruar edhe detyrën e ministrit të shtetit.

Kryetarja e Komisionit, Zylfie Hundozi, e ka njoftuar mysafirin gjerman me fushëveprimin dhe punë e komisionit, të cilën e udhëheq dhe përgjithësisht për konsensusin e gjerë në Kosovë për integrimet evropiane. Ajo ka folur gjerësisht për Planin e Veprimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për sfidat e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2008, si dhe për rolin që ka Kuvendi për mbikëqyrjen e punës së Qeverisë për realizimin e Planit për partneritet evropian. Zonja Hundozi ka shpjeguar edhe për punën e madhe që bën Komisioni për Integrime Evropiane për sa i përket përafrimit të legjislacionit të Kosovës me atë të vendeve të BE-së.

Ish-deputeti dhe ish-qeveritari gjerman, Zoepel (nga radhët e SPD-së), i cili aktualisht merret me publicistikë dhe është i mirinformuar për zhvillimet në vendet e Ballkanit, ka dashur të dijë më shumë nga anëtarët e Komisionin për Integrime Evropiane se çka presin realisht nga institucionet e BE-së.

Zonja Hundozi, por edhe anëtarët e tjerë të Komisioni kanë theksuar se presin nënshkrimin e Marrëveshjes së asocim-stabilizimit, Raportin më pozitiv për Kosovën të Komisionit Evropian, si dhe njohjen e vendit edhe nga pesë vendet e mbetura të BE-së.

Deputetët kanë ngritur shqetësimin për marrëveshjet veç e veç të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e anashkaluar Kosovën dhe vështirësuar rrugën Kosovës në proceset e integrimit dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, të mallrave dhe të kapitalit.

Është e papranueshme që të pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës, ka theksuar Zoepel, duke folur për procesin e liberalizimit. Ai u ka sugjeruar anëtarëve të komisionit që ta ngrenë këtë shqetësim në të gjitha takimet ndërkombëtare, sepse kjo është në kuadër të lirive dhe të drejtave të njeriut, ka thënë ai. Zoepel, ndërkaq, është angazhuar për një punë edhe më me ngulm të EULEX-it për funksionalizimin e sistemit gjyqësor në Kosovë.

Komisioni për Integrime Evropiane po sot e ka shqyrtuar përfundimisht Raportin e hartuar për Planin e Veprimit për sfidat e raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2008.

Anëtarët e Komisionit e kanë shqyrtua (nga aspekti i pajtueshmërisë me legjislacionin e BE-së) Projektligjin për Auditimin e brendshëm me amendamentet e komisionit funksional.

Komisioni e ka miratuar dokumentin Draft–letra e bardhë, duke i rekomanduar seancës plenare të Kuvendit që ta miratojë atë.
Komisionit për Integrime Evropiane priti ish-deputetin e Bundestagut gjerman, Zoepel