Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport

, 25.11.2009




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport nënë kryesimin e kryetarit të Komisionit, z. Agim Veliut mbajti sot mbledhje ku pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi i shkresës së ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dërguar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës si dhe Komisionit të lartpërmendur në lidhje me funksionimin e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Përveç anëtarëve të Komisionit, në këtë mbledhje morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në krye me ministrin Valton Beqiri si dhe përfaqësuesi i KDI-së.

Duke diskutuar në këtë mbledhje lidhur me pikën e përmendur të rendit të ditës, ministri Beqiri përmendi se para një kohe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka shpallë konkurs për pranimin e nëntë punëtorëve madje për pozicionet për të cilat Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka punëtorë dhe të cilët kanë për detyrë të ndihmojnë këshillin e lartpërmendur. Duke përmendur se pranimi i punëtorëve të ri do të thotë dyfishim i vendeve të punës dhe njëkohësisht edhe ngarkim i buxhetit të Kosovës, ministri theksoi se në Ligjin ekzistues për Trashëgimi Kulturore, në nenin 4, pika 8 të bëhen ndryshime dhe të definohen të drejtat dhe obligimet e këtij Këshilli këshillëdhënës e jo ekzekutiv. Ministri Beqiri në fund përmendi se në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tashmë ekziston Divizioni për trashëgimi kulturore dhe se me gjithë kërkesën nga ana e Ministrisë, për shkak të mungesës së mjeteve nga Buxheti i Kosovës, ky Divizion nuk mund të rritet në departament.

Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e Këshillit janë pajtuar që Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Kryetarit të Kuvendit Krasniqi dhe Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore t’iu dërgohet shkresë me rekomandime që së pari të plotësohet Ligji për Trashëgiminë Kulturore, pikërisht neni 4, pika 8 ku duhet të definohet se është e mundshme që të punësohen vetëm nëpunësit civilë dhe jo nëpunësit profesionistë dhe të gjendet mundësia që të mos dyfishohen vendet e punës si në Këshillin për Trashëgimi Kulturore po ashtu edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht në Divizionin për trashëgimi kulturore.
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport