Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës

, 26.11.2009




Në séancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, është zhvilluar debat për Raportin e Komisionit Evropian për Progresin në Kosovë, për vitin 2009, sipas kërkesës së Komisionit për Integrime Evropiane dhe të Grupit Parlamentar të LDD-së.

Deputeti, Lulzim Zeneli, nga Grupi Parlamentar i LDD-së, që pati bërë kërkesën për këtë debat parlamentar, duke e konsideruar Raportin e Progresit si një parametër të rëndësishëm, ka theksuar se Raporti i fundit për Kosovën, numëron një varg ngecjesh dhe parregullsish dhe tregon dështimet që ka bërë qeveria. Zeneli, tha se raporti i Progresit për Kosovën, ka qenë një raport shumë real. Madje, sipas tij, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që të hartohet një raport i tillë kaq kritik. Ai, duke e akuzuar në vazhdimësi Qeverinë e Kosovës, theksoi se demokracia në vend është në rrezik dhe se këto vlerësime të KE-së për vendin, kanë prishur imazhin e institucioneve të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, znj. Zylfije Hundozi fillimisht i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë seriozisht sfidat dhe kritikat e Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian. Po ashtu, Hundozi tha se edhe Kuvendi i Kosovës duhet të vëzhgojë me kujdes punën e Qeverisë së vendit. Komisioni për Integrime Evropiane duhet t’i raportojë Kuvendit çdo tre muaj dhe të mbikëqyrë punën e Qeverisë.

Hundozi vlerësoi se në bazë të Raportit të Progresit, në institucionet e Kosovës ka pasur progres, por edhe përkeqësim të treguesve. Ajo, si një pikë mjaft shqetësuese përveç tjerash, sheh edhe cenimin e lirisë së medieve. Ajo shprehet prerazi se në krahasim me vitet e mëparshme ka pak zhvillim ekonomik, duke kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi që të punojnë me më përkushtim për vendin.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë vlerësimet e ekzekutivit të Kosovës rreth të gjeturave në Raportin e Progresit të KE-së për Kosovën.

Sipas kryeministrit, sfidat që dalin në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian janë në përputhje të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Ai, theksoi se raporti i Komisionit Evropian është real dhe përveç sfidave ky raport pasqyron edhe të arriturat që janë bërë në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, ai vlerësoi se në këtë raport përfshihet puna 10 vjeçare e institucioneve të Kosovës, prandaj sipas tij, përgjegjësia mbetet mbi të gjithë.

Gjetjet e Raportit të Progresit janë në pajtim me pozicionin dhe qëllimet për zhvillimet politike dhe institucionale të qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, tha kryeministri.

Thaçi theksoi se Qeveria e Kosovës ka ndërtuar një partneritet me KE-në duke shtuar se Raporti i Progresit do të shërbejë si një udhërrëfyes për të ardhmen e Kosovës se ku duhet fokusuar prioritetet. Kryeministri tha se Qeveria e Kosovës do të punojë më përkushtimin më të madh si dhe do të japë llogaridhënie për punën e Qeverisë, ndërsa kërkoi nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të monitorojnë punën e Qeverisë dhe institucioneve tjera të vendit.

Megjithatë, në këtë raport, sipas tij, vlerësohet qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe sfidat të cilat Kosova i ka përpara. Thaçi theksoi se Qeveria po punon bashkërisht me Komisionin Evropian në vazhdimin e implementimit të kritereve demokratike, në fushën politike, ekonomike, legjislacion etj.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e pozitës kanë përshëndetur nismat, këshillat dhe debatet rreth raportit të progresit. Deputetët në radhët e pozitës kanë vlerësuar se në raportin e KE-së nuk janë shënuar vetëm ngecje. Në këtë raport sipas deputetëve të pozitës ka pasur edhe vlerësime pozitive. Megjithatë, shqetësuese sipas tyre mbetet çështja e korrupsionit Ata kanë apeluar tek Qeveria që të ndërmarrë masa parandaluese në këtë fushë.

Ndërsa, deputetët në radhët e opozitës kanë shprehur sërish shqetësimin e tyre rreth të gjeturave në raportin e Progresit të KE-së. Deputetët opozitarë Raportin e Progresit, njëzëri e kanë quajtur raport të regresit dhe një raport real të KE-së për institucionet e Kosovës. Deputetët e opozitës e kanë kritikuar periudhën e pas raportit. Sipas tyre as pas publikimit të raportit nuk ka pasur përmirësime në punën e qeverisë.

Në seancën e sotme deputeti Gani Geci ka ngritur çështjen e krijimit të një komisioni hetimor parlamentar, lidhur me, siç ka thëna ai, faktet që posedon për përgatitje të atentatit ndaj dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës (njëri nga Grupit Parlamentar të LDK-së dhe tjetri nga i LDD-së), por kërkesa e tij nuk është nxjerrë për votim, me arsyetimin se çështja e ngritur është kompetencë e gjykatës dhe jo e Kuvendit të Kosovës.

Fare në fillim të seancës, ndërkaq, kryesuesja e Grupit joformal të grave parlamentare, Flora Brovina, ka dalë në foltore dhe ka lexuar një deklaratë kundër dhunës në familje, duke kërkuar që sa më parë Kuvendi i Kosovës ta miratojë ligjin kundër dhunës në familje.

Seanca i vazhdon ditën e martë, në orën 10:00.
Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës