Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtorin për Ballkanin të GNK-së

, 09.12.2009




Kryetari i Kuvendi të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, e ka pritur sot drejtorin për Ballkanin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave , dr. Marko Prele, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon dhe për nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Prele, pasi e ka falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për pritjen, e ka njoftuar atë me natyrën dhe misionin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Ai ka theksuar se organizata, të cilën e përfaqëson, është e interesuar që Kosova të bëhet një shtet i zhvilluar, funksional dhe demokratik, kusht ky i nevojshëm për tu bërë pjesë e BE-së.

Drejtori për Ballkanin i GNK-së ka vlerësuar punën e legjislativit të vendit për miratimin e ligjeve, të cilat i ka vlerësuar të standardeve evropiane, por se ka pasur rezerva për sa i përket zbatimi të tyre. Ai, ndërkaq, ka vënë në dukje të metat që e përcjellin gjyqësorin e Kosovës.

Në këtë takim Prele është interesuar për sfidat kryesore të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka vlerësuar lart interesin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Ai në vazhdim ka folur gjerësisht për sfidat e brendshme dhe ato të jashtme që e preokupojnë Kosovën. Ndër sfidat kryesore të brendshme të vendit tonë Krasniqi ka përmendur: ringjalljen e ekonomisë, integrimin e minoriteteve dhe sundimin e ligjit. Si sfida të jashtme, ndërkaq, ka theksuar: kapërcimin e vështirësive që Kosova të bëhet pjesë e BE-së, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së, anëtarësimin sa më të shpejtë në OKB dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve në vendet e BE-së (liberalizimi i vizave).

Krasniqi ka shtruar nevojën për punësim të qytetarëve të Kosovës dhe në këtë vështrim edhe gjetjen e mundësive për punësimin sezonal të tyre në vendet e BE-së. Ai, ndërkaq, është pajtuar se qytetarët e Kosovës e meritojnë një gjyqësor shumë më efikas.
Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtorin për Ballkanin të GNK-së