Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së

, 09.12.2009




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga Berim Ramosaj, kryetar, ministri kësaj Force, Fehmi Mujota, ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit punën dhe funksionimin e ministrisë që ai udhëheq dhe të Forcës së Sigurisë, që nga themelimi i tyre. Ministri Mujota, në fjalën e tij tha se Ministria e Forcës së Sigurisë ka si mision krijimin e sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për të gjithë qytetarët e saj.

Duke folur për funksionimin e brendshëm të ministrisë, Mujota tha se MFSK-ja është ministri e integruar, sipas modelit të disa vendeve anëtare të NATO-s. Ai tha se deri tani është vënë në funksion mbi 60 për qind e kapacitetit të saj të brendshëm. Kjo ministri funksion sipas 4 ligjeve bazike të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, dhe 19 rregulloreve të brendshme të nxjerra gjatë kësaj periudhe të funksionimit.

Duke folur për ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministri Fehmi Mujota bëri të ditur se deri në fund të vitit 2011 planifikohet të bëhet kompletimi i saj, me gjithsej 3300 pjesëtarë, nga ta 2500 aktivë dhe 800 rezervë. Ai njoftoi se në fillim të vitit 2010 pritet të fillojë fushata e re për rekrutimin e 400 pjesëtarëve të rinj. Sipas tij, aktualisht 7.2 për qind e pjesëtarëve të FSK-së janë nga komunitetet pakicë.

Mujota tha se i gjithë procesi i ndërtimit të MFSK-së dhe FSK-së po bëhet sipas standardeve të NATO-s, dhe në bashkërendim me këshilltarë dhe ekspertë të saj. Ministri bëri të ditur se NATO-ja ka deklaruar arritjen e kapaciteteve të para nga ana e FSK-së, ndërsa sipas këtyre ritmeve, parashihet që kapacitetet e plota të arrihen deri në vitin 2012.

Ministri Fehmi Mujota njoftoi gjithashtu për bashkëpunimin dhe marrëveshjet e nënshkruara me shtete anëtare të NATO-s, si dhe për ndihmën që i është dhënë FSK-së nga këto vende. Ai tha se reduktimi i KFOR-it, gjatë vitit të ardhshëm, nuk do të ndikojë në sigurinë e Kosovës. Madje, sipas tij, ky është një indikacion se Kosova tashmë është bërë faktor stabiliteti. Mujota njoftoi edhe për hartimin e Strategjisë së Sigurisë së Kosovës, në të cilin kontributin e saj po e jep edhe ministria që ai udhëheq.

Në prezantimin e tij, ministri i Forcës së Sigurisë shfaqi interesimin për bashkëpunim të thellë me Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, dhe me të gjitha institucionet e tjera relevante.

Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, duke e përgëzuar ministrin Mujota për punën dhe të arriturat në ministri dhe FSK, shtruan pyetje rreth fushë-veprimtarisë përkatëse. Ata shprehën përkushtimin për të dhënë kontributin e tyre në funksion të krijimit të një force sipas standardeve të NATO-s.
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së