Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 21.12.2009




Anëtarët e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi të Kuvendit të Kosovës, kanë pritur sot në takim një delegacion nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Turqisë, me të cilin kanë biseduar rreth bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën legjislacionit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.

Delegacionin turk, të udhëhequr nga përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese, Mustafa Baysal, pjesë e të cilit ishte dhe sekretari Mehmet Ogur, rreth funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe punës së Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, i ka njoftuar kryetari i komisionit Bahri Hyseni. Duke folur rreth përgjegjësive dhe punës së këtij komisioni parlamentar, Hyseni tha se fushëveprimtaria e tij është e gjerë, ndërsa në përgjegjësi të tij është shqyrtimi i bazës juridike të ligjeve. Hyseni tha se ky komisioni bën edhe monitorimin e ligjeve dhe harton një pjesë të tyre, ndërkaq shqyrton edhe deklarata politike, rezoluta, rekomandime të Gjykatës Kushtetuese, etj.

Kryetari Hyseni dhe anëtarët e tjerë të Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, i falënderuan përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë për ndihmën që shteti turk ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën. Ata shprehën interesimin dhe gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Ankaranë. Anëtarët e komisionit parlamentar thanë se Kosova si shtet i ri ka nevojë për mbështetje dhe njohje me praktika të ndërtimit dhe funksionimit institucional në vendet e tjera. Ata theksuan nevojën për shkëmbim përvojash me Turqinë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Turqia, thanë se Ankaraja dhe Prishtina kanë çka të këmbejnë ndërmjet vete në fushën e drejtësisë, ndërsa veçuan atë të drejtësisë penale. Ata theksuan se e kanë përcjellë që nga fillimi procesin e ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, dhe shprehën interesimin për t’u njoftuar më detajisht me procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të saj. Rreth kësaj çështjeje, ata morën sqarime nga anëtarët e komisionit.
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi