Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 21.12.2009




Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Zylfije Hundozi, kryetare, ka përkrahur propozim-amandamentet për Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, ndërsa ka shqyrtuar një sërë projektligjesh, në aspektin e përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Në këtë mbledhje, rreth Raportit të Progresit, para anëtarëve të Komisionit, kanë prezantuar zv/ministri i Administratës Publike, Rifat Blaku, dhe drejtori i Entit të Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

Zv/ministri Blaku ka theksuar se është analizuar Raporti dhe janë identifikuar sfidat që dalin nga ai, duke i adresuar ato në mekanizmat përgjegjës. Ai tha se Ministria e Administratës Publike është në kontakt me EUROSTAT-in, dhe po bën përpjekje maksimale për plotësimin e standardeve evropiane të cilat bien në përgjegjësi të kësaj ministrie. Ai ka theksuar një varg vështirësish me të cilat po përballet Enti i Statistikave, për të cilat ka folur edhe drejtori i tij, Avni Kastrati.

Anëtarët e Komisionit kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar kontaktet dhe bashkëpunimin e ndërsjellë me MAP-in dhe Entin e Statistikave.

Komisioni ka konstatuar përputhshmërinë me legjislacionin e BE-së të këtyre projektligjeve, së bashku me amendamentet e Komisionit funksional: Projektligjit për Plotësim-Ndryshimin e Ligjit për Duhanin, Projektligjit për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Pyjet e Kosovës, dhe atij për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane