Lajmet e fundit

Kryeparlamentari dr. Jakup Krasniqi, priti një grup studentësh nga Venecia

, 15.01.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në një takim një grup studentësh prej 100 vetash nga Venecia, të cilët ndjekin studimet master në lëmin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, ndërsa po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë studimore.

Duke ju uruar mirëseardhje studentëve, kryeparlamentari Krasniqi tha se Kosova është rast i mirë për të kundruar evoluimin e të drejtave të njeriut, nga shkelja flagrante e tyre në të kaluarën, jo shumë të largët, deri te respektimi i plotë në Kushtetutë e në praktikën aktuale të realitetit të ri, të krijuar pas pavarësisë. Krasniqi tha se Kuvendi ka rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm për sigurimin e të drejtave e lirive të njeriut e të komuniteteve pakicë, por edhe për miratimin e kornizës ligjore të vendit, për përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve pa asnjë dallim, dhe për kontrollin mbi qeverinë, organet e tjera që zgjedh dhe për zbatimin e Kushtetutës e të legjislacionit në fuqi.

Krasniqi theksoi se Kuvendi ka mandat katërvjeçar dhe përfaqëson përveç shumicës shqiptare, edhe të gjitha komunitetet pakicë të shoqërisë së Kosovës.

Kreu i Kuvendit foli gjerësisht për të drejtat që gëzojnë komunitetet pakicë në Kosovë dhe vendet e garantuara për ta në Kuvendin e Kosovës. Rreth aspiratave të Kosovës për integrim euro-atlantik, tha se duke pasur si prioritet të lartë dhe strategjik, integrimet evropiane, institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe populli i Kosovës po punojnë intensivisht për përmbushjen e standardeve dhe kritereve që vendi ynë të shënojë progres drejt liberalizimit të vizave e të integrimeve euroatlantike. “Për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit për vitin 2009, Komisioni për Integrime Evropiane ka hartuar Planin e Veprimit të Kuvendit të Republikës për Integrim Evropian, i cili pritet të miratohet në një nga seancat e radhës”, theksoi Krasniqi, duke shtuar se Kuvendi po punon intensivisht që ta forcojë rolin e tij ligjvënës, përfaqësues dhe atë të kontrollit, ta rritë transparencën e komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet tjera e shoqërinë civile.

Sipas kreut të Kuvendit, pjesë përbërëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë të gjitha instrumentet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, kurse të drejtat e komuniteteve pakicë janë siguruar sipas provizioneve të Propozimit Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, që tejkalojnë standardet e pranuara ndërkombëtarisht. “Kuvendi ynë ka formuar një komision të veçantë dhe kryesor vetëm për komunitete pakicë, të cilin e përbëjnë në shumicë deputetët e këtyre komuniteteve dhe udhëhiqet prej tyre. Ky komision i fuqishëm shqyrton paraprakisht çdo projektligj dhe pa miratimin e tij, nuk mund të procedohet më tej në Kuvend”, theksoi kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Në vijim, kryetari i Kuvendit dha detaje për punën, organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Kosovës, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, i pari i Kuvendit tha se pavarësia e Kosovës e shpallur më 17 shkurt 2008, është një akt i koordinuar ndërmjet qytetarëve të Kosovës, institucioneve të saj dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe këtë Kosova e sheh si bashkëpunim në shërbim të lirisë, paqes, zhvillimit të demokracisë dhe ndërtimit të institucioneve demokratike.

Krasniqi theksoi se problemet që vijnë nga e kaluara janë edhe çështjet e institucioneve paralele, të cilat në fakt, sipas kryeparlamentarit, nuk janë institucione paralele, janë institucione të Serbisë që kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë në pjesë të kufizuara të Kosovës, dhe në një pjesë të kufizuar të qytetarëve serbë të Kosovës. Për shuarjen e tyre, Krasniqi tha se institucionet e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë, kanë zgjedhur formën demokratike, të bindjes dhe të mirëkuptimit. “Institucionet ndërkombëtare janë duke e hartuar strategjinë për largimin e këtyre strukturave nga Kosova”, u shpreh kryeparlamentari i Kosovës. Ai tha se, megjithatë, një pjesë e serbëve të Kosovës janë të integruar mirë në jetën publike, institucionale dhe shoqërore të Kosovës, ndërsa shembulli më i mirë janë zgjedhjet e fundit ku janë formuar komuna të reja të cilat qeverisen nga qytetarët serbë.

Zv/kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramë Manaj, ndërkaq, i njoftoi studentët nga Venecia me organizimin dhe funksionimin e qeverisë, me theks të veçantë me dikasterët që udhëhiqen nga komunitetet pakicë. Ai foli për përkushtimin e ekzekutivit të vendit që të gjitha komunitetet në Kosovë, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, të gëzojnë të drejta dhe liri të barabarta konform akteve juridike në Kosovë dhe atyre ndërkombëtare. Ai theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës i kushton plotësisht kapitullin e dytë të Drejtave të Njeriut.

Nga ana e saj, profesoresha Marijana Grandits, falënderoi institucionet e Kosovës për përkrahjen që i kanë dhënë studentëve të Universitetit të Venecias për të realizuar këtë vizitë studimore.

Studentët, më pas janë njoftuar me ambientet e tjera të Kuvendit.
Kryeparlamentari dr. Jakup Krasniqi, priti një grup studentësh nga Venecia