Lajmet e fundit

Mbledhje e përbashkët e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe atij për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media

, 22.01.2010




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga Gani Koci, kryetar, së bashku me Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, kanë shqyrtuar sot kërkesën e Radio Televizionit të Kosovës për financim të përkohshëm. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, të RTK-së dhe të Komisionit të Pavarur të Mediave, Koci tha se gjendja financiare në RTK kërkon një vendim urgjent, i cili do ta nxirrte televizionin publik nga kriza. Ndërkaq, sipas tij, duhet të punohet paralelisht edhe për amandamentimin e ligjit për RTK-në, përmes të cilit do të sigurohej zgjidhje ligjore rreth burimit të financimit afatgjatë të RTK-së.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se kërkesa e RTK-së është shqyrtuar në Qeverinë e Kosovës, dhe se ekzekutivi i vendit ka dhënë propozimet e tij. Ministri Shala dhe se për t’i dalë në ndihmë financiare RTK-së, qeveria planifikon të bëjë shkurtime në mallra dhe shërbime, dhe eventualisht në ndonjë investim kapital. Sidoqoftë, ai kërkoi që kërkesa financiare e RTK-së të jetë sa më e ulët, dhe vendimi përfundimtar për shkallën e ndihmës, të jetë i Kuvendit.

Në takim u potencua domosdoshmëria e një infuzioni të përkohshëm financiar për RTK-në, në konton e të cilit, sipas përfaqësuesve të tij, momentalisht gjendet vetëm 6 mijë euro. Kryetari i Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi, tha se nga 1 nëntori i vitit të kaluar, RTK-ja ka operuar duke hyrë në borxhe. Ai theksoi se shuma e kërkuar nga televizioni nuk është e fryrë, përkundrazi, sipas tij, është e reduktuar. Paçarizi shtroi nevojën e një vendimi urgjent për t’i dalë në ndihmë televizionit publik, ndërkaq potencoi edhe domosdoshmërinë për t’iu qasur menjëherë amandamentimit të ligjit.

Në takim u tha se duhet të shqyrtohet kërkesa e RTK-së për financim gjashtëmujor nga Buxheti i Republikës së Kosovës, e cila përfshinte një shumë prej 5.4 milionë euro, për të parë mundësitë e reduktimit eventual të saj. Konform kësaj, u vendos që një nënkomision, i përbërë nga anëtarë të dy komisioneve, së bashku me përfaqësues të MEF-it dhe RTK-së, të shqyrtojë në detaje kërkesën e RTK-së, për ta përcaktuar shumën, e cila do të ishte pjesë e rekomandimit për Kuvendin. Gjithashtu, u potencua se një nga rekomandimet e tjera të komisionit të jetë po ashtu përcaktimi i qartë i obligimeve që KEK-u ka nga RTK-së. Si rekomandim i tretë u tha të jetë edhe dalja e shpejtë me ligjin përkatës për RTK-në nga ana e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, dhe atij për Buxhet e Financa, për të përcaktuar edhe formën dhe modalitetet e financimit të qëndrueshëm të tij.
Mbledhje e përbashkët e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe atij për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media