Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Këshilli i Evropës

, 22.02.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot një delegacion nga Këshilli i Evropës , i prirë nga kryesuesi i Komisionit për Çështje Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn von Sydow, njëherësh raportues për situatën politike në Kosovë.

Në takim është biseduar për punën e Kuvendit të Kosovës dhe të institucioneve të tjera të vendit, për gjendjen në Kosovë dhe pozitën e barabartë të të gjitha komuniteteve, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë të Kosovës me Këshillin e Evropës.

Kryeparlamentari Krasniqi, duke i uruar mirëseardhje në vendin tonë, i ka shpjeguar z. Bjorn von Sydow, për zhvillimet e fundit në Kosovës, me theks të veçantë konsolidimin e shtetit demokratik, ndërtimin dhe funksionimin institucioneve të vendit dhe realizimin e zgjedhjeve të suksesshme vendore në Kosovë. Krasniqi në vazhdim ka folur lidhur me angazhimet e vazhdueshme për integrimin e suksesshëm të komuniteteve pakicë në shoqërinë tonë, si dhe për standardet e larta të të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve në Kushtetutën e vendit. Ai këtë e ka ilustruar edhe me përfaqësimin e pakicave në institucionet e Kosovës, decentralizimin dhe ligjet e miratuara për trashëgiminë e tyre kulturore.

Kryesuesi i Komisionit për Çështje Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn von Sydow, duke e falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për shpjegimet e thukëta për zhvillimet në Kosovë, ka theksuar se, në raportin e tij për Kosovën do të spikasë rëndësinë e bashkëpunimit të Këshillit të Evropës me Kosovën.

Kreu i Kuvendit, Krasniqi, duke theksuar marrëdhëniet e mira të Kosovës me një varg vendesh anëtare të Këshillit të Evropës, ka shprehur vullnetit e qytetarëve të Kosovës që vendi ynë, në një kohë sa më të shkurtër, të bëhet anëtar i këtij Këshilli. Krasniqi ka kërkuar nga z. Sydow që ta mbështesë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Këshilli i Evropës