Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të Parlamentit të Italisë

, 01.03.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim një delegacion të Parlamentit të Italisë, të kryesuar nga Stefano Stefani, kryetar i Komisionit për Politike të Jashtme.

Duke iu uruar mirëseardhje parlamentarëve italianë, kryeparlamentari Krasniqi i falënderoi ata për mbështetjen që Italia i ka dhënë Kosovës, për prezencën civile dhe ushtarake të saj, si dhe për njohjen e shpejtë që i ka bërë shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Krasniqi e njoftoi delegacionin nga parlamenti italian me zhvillimet e fundit në Kosovë, të arriturat e deritashme të shtetit të Kosovës, si dhe me punën e funksionimin e Kuvendit. Kreu i Kuvendit potencoi miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe miratimin e ligjeve nga Pakoja e Ahtisaarit. Krasniqi e informoi delegacionin italian rreth procesit të njohjes së pavarësisë, dhe pritjet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ai veçoi edhe raportet e mira me shtetet fqinje, me përjashtim të Serbisë, e cila, siç tha kryeparlamentari Krasniqi, nuk po i përgjigjet gatishmërisë së Kosovës për bashkëpunim.

Kreu i Kuvendit të Kosovës e vlerësoi pozitive pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e fundit lokale, ndërsa potencoi problemet me veriun e Kosovës, të shkaktuara dhe nxitura nga Serbia. Rreth kësaj, Krasniqi i njoftoi mysafirët rreth Strategjinë për Veriun, dhe synimin e saj për integrimin e asaj pjese të Kosovës.

Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, sipas Krasniqit, nuk ka kthim prapa, dhe me Serbinë mund të bisedohet për çështje teknike, sikurse me fqinjët e tjerë.

Duke folur për punën brenda Kuvendit të Kosovës, Krasniqi tha se Kosova po tenton të krijojë traditë parlamentare, dhe në këtë kuadër ajo është duke vendosur marrëdhënie të mira me të gjitha parlamentet e vendeve të BE-së, përfshirë këtu edhe Parlamentin e Italisë. Kryetari i Kuvendit shfaqi besimin për një vizitë të shpejtë në Romë, për t’i njoftuar autoritetet italiane me të gjitha zhvillimet në Kosovë.

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Italian, Stefano Stefani, pasi e falënderoi kryeparlamentarin Krasniqi për pritjen, foli për të arriturat në Kosovë, duke e veçuar rolin e EULEX-it, të cilin e vlerësoi të suksesshëm dhe pozitiv. Diplomati italian e vlerësoi pozitivisht edhe pjesëmarrjen domethënëse të serbëve në zgjedhjet lokale.

Duke folur për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ai e konsideroi të nevojshme njohjen nga vendet e tjera që deri tash nuk e kanë bërë këtë akt.

Sa i përket Serbisë, Stefani tha ajo duhet ta njoh Kosovën, për faktin se nuk ka rrugë tjetër dhe s’mund të ketë kthim prapa.
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të Parlamentit të Italisë