Lajmet e fundit

Dëgjim publik lidhur me Projektligjin për produktet dhe pajisjet medicinale

, 03.03.2010




Edhe pse qysh në vitin 2003, nga Kuvendi i Kosovës është nxjerrë Ligji për produktet dhe pajisjet medicinale, ky Ligj në praktikë, pothuajse asnjë herë, nuk është zbatuar. Për këtë arsye, me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë (si sponzoruese e ligjit të përmendur), Qeveria e Kosovës, në fund të vitit të kaluar, ka marrë Vendim që në këtë Ligj të bëhen ndryshime dhe plotësime, në mënyrë që i njëjti të jetë, në tërësi, i zbatueshëm praktikisht.

Me këto konstatime ka filluar dëgjimi i sotëm publik lidhur me Projektligjin për produktet dhe pajisjet medicinale, i organizuar nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, i kryesuar nga Sadik Idrizi, kryetar i këtij komisioni. Për ndryshe, krahas anëtarëve të komisionit të përmendur, në këtë dëgjim publik, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, Agjencionit kosovar për produkte medicinale, Shoqata e farmaceutëve të Kosovës, fabrikat e barërave “Kondirolli”, dhe “Farmakos”, UNDP, KDI, si dhe përfaqësuesit e disa firmave për distribuimin e barërave dhe pajisjeve medicinale.

Pjesëmarrësit në dëgjimin e lartpërmendur, kanë mbështetur këtë Projektligj, por duke shtruar vërejtje dhe sugjerime, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e mëtejmë deri në arritjen e tekstit final në përgjithësi. Në kontekst me këtë, ata ishin të koncentruar, posaçërisht në zbatimin e përpiktë në praktikë të këtij ligji në tërësi. Krahas të tjerave, kishte edhe diskutime ku mbisundonte mendimi që fabrikave vendore të barërave duhet të iu mundësohen benifite të caktuara, si në sferën e prodhimit, po ashtu edhe të distribuimit të barërave të njëjta, si në tregun e brendshëm kosovar, po ashtu edhe në tregun jashtë Kosove. Njëkohësisht, kishte diskutime edhe për atë se duhet mundësuar disave prej prodhuesve dhe distributorëve të mëdhenj botëror – firmave për barëra që, para së gjithash, përmes rrugëve ligjore të iu mundësohet prezenca në tregun kosovar të barërave, duke thjeshtëzuar marrjen e licencave si dhe dokumentacionit tjetër përcjellës.

Në këtë dëgjim publik kishte diskutime edhe lidhur me atë se a duhet Agjencioni Kosovar për prodhime medicinale të jetë tërësisht i pa varur nga Ministria e Shëndetësisë, do të thotë Agjencioni të jetë tërësisht i mëvetësishëm dhe i pa varur, të themelohet Agjencioni për barëra, të formohen komisione të veçanta për verifikimin e kualitetit të barërave, të cilat shfrytëzohen si në entet shëndetësore të Kosovës, po ashtu edhe në entet private shëndetësore në tërësi.

Në fund të këtij dëgjimi publik erdhi deri të përfundimi që Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, të formoi një grup pune të përbërë nga 3 anëtarë të cilët këto vërejte dhe sugjerime do i marrin në konsiderim, dhe që, sipas mundësive, të inkorporohen në amendamente, në mënyrë që ky Projektligj të jetë sa më i mirë dhe sa më përmbajtjesor në tërësi.
Dëgjim publik lidhur me Projektligjin për produktet dhe pajisjet medicinale