Lajmet e fundit

Kryekuvendari ,dr. Jakup Krasniqi, takohet me zëvendëskryeministrin Meta dhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama

, 09.04.2010




Në kuadër të vizitës në Shqipëri, kryetari i Kuvendit të Kosovës dr. Jakup Krasniqi vazhdoi takimet e tij me personalitete të larta të Shqipërisë, si dhe mori pjesë në veprimtari të ndryshme në Tiranë.

Vlerësohet lart progresi i arritur në Kosovë

Takimi i mbrënshëm i kryekuvendarit Krasniqi me zëvendëskryeminstrin Meta u përqendrua kryesisht në zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe në rajon, sfidat me të cilat përballet shteti i ri dhe marrëdhëniet dypalëshe. Temë diskutimi ishin gjithashtu edhe bashkëpunimi në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për integrimin evropian e euroatlantik dhe bashkëpunimi rajonal. Z. Krasniqi, nga ana e tij, pasi e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë dhënë Kosovës, e informoi z. Meta për zhvillimet në Kosovë, ndryshimet në qeveri dhe mbështetjen nga Kuvendi të Strategjisë për Veriun, nga e cila do të përfitojnë të gjithë banorët e tij.

Me këtë rast, z. Krasniqi vlerësoi edhe kontributin e Shqipërisë në përmirësimin e kushteve të jetesës në komunat e sapokrijuara më shumicë nga komunitetet pakicë në Kosovë, duke evidentuar mbështetjen financiare të disa projekteve në komunën me shumicë serbe të Graçanicës.

Në prononcimin për media kryekuvendari Krasniqi theksoi se me z. Meta kishte një bisedë të ngrohtë dhe miqësore, ndërsa e ka njoftuar atë mbi zhvillimet politike që janë duke ndodhur në Republikën e Kosovës.

“E falënderova për angazhimin e Qeverisë, por edhe angazhimin e tij personal rreth aktiviteteve diplomatike që është duke bërë për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, dhe në këtë drejtim mendoj që zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, sigurisht që në bashkëpunim edhe me Qeverinë e Kosovës, do të angazhohen në të ardhmen që Kosova të ketë njohje të reja dhe në këtë rrafsh sigurisht që ky aktivitet dhe ky angazhim i sinqertë i Shqipërisë dhe i institucioneve të saj do të sjellë rezultate”, theksoi z. Krasniqi.

Në vijim kreu i legjislativit të Kosovës tha se Kosova në gjithë angazhimin e saj politik gjatë gjithë këtyre viteve ka treguar një tolerancë dhe një gatishmëri për të ndërtuar, me të gjitha vendet e rajonit, marrëdhënie të mira, miqësore, në frymën e vlerave të Bashkimit Evropian. Ai shprehu besimin se e ardhmja do të konfirmojë këto suksese.

Zëvendëskryeministri e ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë që prej shpalljes së pavarësisë, duke vënë theksin në ndërtimin e shtetit ligjor, të institucioneve demokratike e funksionuese në të gjithë territorin e Kosovës. Gjithashtu ai vlerësoi kontributin e Kuvendit të Kosovës për integrimin e të gjitha komuniteteve pakicë, përfshirë atë serb, në institucionet e Kosovës.

Më tej, z. Meta shprehu bindjen se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë ndaj sovranitetit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj njohjes së mëtejshme të shtetit të ri.

Duke u ndalur në rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, z. Meta e siguroi z. Krasniqi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë edhe në të ardhmen përfshirjen dhe përfaqësimin e Kosovës në të gjitha nismat shumëpalëshe, në kuadër rajonal dhe më gjerë, si dhe në proceset e saj integruese në strukturat euroatlantike.

Në prononcimin për media z. Ilir Meta konfirmoi vlerësimin e përbashkët për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, dy shteteve, qeverive dhe parlamenteve. Bashkëpunimin midis dy parlamenteve ai e vlerësoi si tepër intensiv, që është një edhe një inkurajim për të dy qeveritë, në mënyrë që marrëdhëniet e gjithanshme midis Shqipërisë dhe Kosovës të zhvillohen në mënyrë sa më të frytshme.

Ai theksoi se z. Krasniqi i ka shprehur vlerësimet më të mira për të gjithë përpjekjet që bën Kuvendi i Kosovës, presidenti i Kosovës e Qeveria e Kosovës për të forcuar institucionet e reja të këtij shteti të ri dhe demokratik dhe për t’i përafruar ato drejt standardeve evropiane, për të forcuar bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës në kuadër të njohjeve të reja për shtetin e ri të Kosovës dhe njëkohësisht vlerësimin për atë politikë integruese që synon shteti i Kosovës për sa i takon pakicave etnike dhe në veçanti ndaj minoritetit serb.

Kosova evropiane është e bazuar fuqimisht mbi një bashkëjetesë ndëretnike, e cila pa diskutim që me këtë filozofi të drejtuesve të shtetit të ri të Kosovës do të jetë e suksesshme dhe do të garantojë një perspektivë të shpejtë evropiane për Kosovën.

Duke folur për çështjen e liberalizimit të vizave z. Ilir Meta shprehu bindjen se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina brenda këtij viti do ta fitojnë atë sfidë të rëndësishme që garanton liberalizimin e vizave me BE-në. “Unë shpreha bindjen se shumë shpejt këtë gjë do ta fitojë, jam i bindur, edhe Kosova në mënyrë që të gjithë qytetarët e këtij rajoni të jenë qytetarë të lirë, të jenë qytetarë, të cilët prekin realitetin evropian dhe shumë shpejt vendet tona të jenë edhe anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian”, theksoi z. Ilir Meta.

Sfidat kapërcehen së bashku

Kryekuvendari Krasniqi kishte një takim edhe me kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama. Në prononcimin për media menjëherë pas takimit kryekuvendari Krasniqi, pasi shprehu kënaqësinë për këtë takim, theksoi se më këtë rast u bisedua për të gjitha zhvillimet, por në një mënyrë më të veçantë, për sfidat që i ka populli shqiptar në përgjithësi, siç janë zhvillimi ekonomik, zvogëlimi i papunësisë dhe natyrisht edhe për sfidat që ka Kosova që është shtet në ndërtim, të cilin ende disa vende të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur. Përkitazi me këtë, kryekuvendari në vijim tha:”Megjithatë kemi bindjen se mbështetjen që marrim nga institucionet e Shqipërisë, mbështetjen që marrim nga gjithë liderët politikë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo që janë, do t’i kapërcejmë këto sfida”. Duke folur rreth rëndësisë së integrimeve ndërkombëtare, si dhe ndërshqiptare, ai tha se është duke u punuar në këtë rrafsh. Në procesin e integrimit kombëtar, mund të bëjmë më shumë si dy vende, sidomos në sferën e zhvillimeve ekonomike, në fushën e arsimit, kulturës, por edhe në sferat e tjera. “Këto janë sfida, më të cilat ballafaqohet një pjesë e madhe e botës, por ne po përpiqemi t’i zvogëlojmë dhe së bashku t’i kapërcejmë”, theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në prononcimin e tij tha:

” Ishte gjithmonë një kënaqësi e veçantë dhe kjo nuk është një fjalë për protokoll. Por, është një fjalë zemre, që patëm përsëri në mjedisin e punës sonë një mik nga Kosova. Një shok dhe një vëlla, si të gjithë ata që na vizitojnë kur vijnë nga ana tjetër e kufirit dhe me të cilët s’kemi asnjëherë dallime, që kemi këtu mes nesh. Janë për ne të gjithë miq dhe vëllezër të çmuar”.

Në vijim ai tha se ishte po ashtu me shumë interes bashkëbisedimi lidhur me sfidat e përbashkëta, por dhe sfidat e ngjashme që kanë të dyja vendet tona, që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, sidomos me domosdoshmërinë për t’i hapur rrugë perspektivës së qartë për të gjithë ata që kërkojnë një punë.

Papunësia është një plagë e trashëguar në Kosovë, të cilën Qeveria e Kosovës po e shikon me shumë vëmendje. Ndërkohë, që në Shqipëri është një plagë që thellohet përditë, për shkak të një situate shumë të vështirë ekonomike.

”Patjetër ishte kënaqësi që ndërkohë të ndanim atë që është mendim i konsoliduar; atë që është edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, pavarësisht forcave politike; kënaqësinë e një perspektive të qartë për Shqipërinë dhe Kosovën, si vende që shohin drejt Evropës dhe si një popull, i cili do integrohet mes popujve evropianë. Sfida është që ky integrim të jetë sa më i shpejtë dhe të jetë sa më i vlefshëm për shqiptarët këtej dhe andej kufirit”, theksoi Edi Rama.

Kryekuvendari Krasniqi sot mori pjesë dhe foli në një veprimtari të Forumit Politik, në temën “Balancet e reja në Ballkan-e ardhmja evropiane”, në të cilën merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, politikanë, përfaqësues të trupit diplomatik të akreditur në Shqipëri, analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias. Fjala e krykuevndarit Krasniqi u prit me interesim të veçantë nga të pranishmit. Këtë veprimtari e kishte organizuar Instituti i Studimeve Ndërkombëtare të Tiranës, i cili edhe e kishte ftuar kreun e legjislativit të Kosovës për të folur në këtë tribunë.

Kryekuvendari Krasniqi bëri një vizitë edhe në familjen e dëshmorit të kombit, Endrit Cara, në Kavajë, i cili u flijua për lirinë e Kosovës.

Sonte, në shenjë nderimi për kryekuvendarin Krasniqi, zëvendëskryeminstri Ilir Meta shtroi darkë.
Kryekuvendari ,dr. Jakup Krasniqi, takohet me zëvendëskryeministrin Meta dhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama