Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e jashtëm italian, Franco Frattini

, 28.04.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim ministrin e jashtëm të Italisë, Franco Frattini, me delegacionin që e shoqëronte. Duke i uruar mirëseardhje shefit të diplomacisë italiane, kryeparlamentari Krasniqi i shprehu atij falënderimet për mbështetjen që Italia i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, dhe e njoftoi atë për proceset politike në vend. Krasniqi theksoi se Kosova po funksionon si shtet demokratik, paqësor dhe multietnik, ndërsa veçoi procesin e decentralizimit dhe krijimin e komunave me shumicë serbe. Duke u ndalur te problemet në veri të Kosovës, Krasniqi e njoftoi shefin e diplomacisë italiane me Strategjinë për Veriun dhe potencoi rolin e ambasadorit Giffoni atje, si përfaqësues evropian.

Kryetari i Kuvendit theksoi politikën e fqinjësisë së mirë dhe të paqes që Kosova ndjek me fqinjët dhe interesimin e saj për të luajtur rolin që i takon si shtet i pavarur dhe sovran në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Duke folur rreth procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi kërkoi ndihmën e shtetit italian në këtë proces dhe potencoi synimin e Kosovës për anëtarësim në OKB dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë. Krasniqi theksoi se shteti i Kosovës aspiron integrimet euro-atlantike dhe në këtë drejtim shtroi nevojën që edhe Kosova të përfshihet sa më shpejtë në procesin e liberalizimit të vizave.

Duke dhënë një pasqyrë të strukturës dhe të punës së Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi shfaqi interesimin e legjislativit për të thelluar bashkëpunimin me Parlamentin e Italisë.

Ministri i jashtëm italian, Franco Frattini, duke e falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për pritjen e ngrohtë dhe mundësinë që i është dhënë atij për t’i drejtuar parlamentarëve të Kosovës, theksoi se Italia e ka njohur pavarësinë e Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj dhe se ajo nuk ka kthim. Ai konfirmoi mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën në proceset integruese evropiane dhe në këtë kuadër potencoi mbështetjen për procesin e liberalizimit të vizave edhe për Kosovën, krahas vendeve të tjera të rajonit. Frattini tha se Italia është e gatshme të bashkëpunojë me Kosovën edhe në fushën ekonomike dhe se ajo nxit investitorët italianë që të investojnë në Kosovë. Ai bëri të ditur se shumë shpejt një delegacion i Qeverisë së Italisë do të vizitojë Kosovën, i cili do të jetë i shoqëruar nga një grup i madh i biznesmenëve italianë.
Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e jashtëm italian, Franco Frattini