Lajmet e fundit

Eqrem Kryeziu priti delegacionin e Sindikatave Zvicerane

, 27.05.2010




Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Eqrem Kryeziu, ka pritur sot një delegacion të Sindikatave Zvicerane (UNIA&SIT), i kryesuar nga Ueli Leuenberger, anëtar i Parlamentit Zviceran dhe kryetar i Partisë së Gjelbër, i cili vjen në Kosovë për t’i dorëzuar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale peticionin e mbi 12 mijë qytetarëve që jetojnë në Zvicër, në kundërshtim të prishjes së njëanshme të Marrëveshjes së sigurimeve shoqërore nga viti 1964.

Sindikalistët Zviceranë kanë sqaruar se qytetarët e Kosovës që punojnë dhe jetojnë në Zvicër janë goditur në shumë plane. Ata nuk do të mund t’i shfrytëzojnë jashtë shtetit të Zvicrës pensionet e tyre të fituara nga marrëdhënie e punës në Zvicër, si dhe shtesat familjare (shtesat e fëmijëve dhe të shkollimit), nëse kthehen të jetojnë në Kosovë.

Ata madje kanë pohuar se pasojat e anulimit të marrëveshjes së sigurimeve shoqërore sa vijnë e do të keqësohen, sepse më shumë qytetarë do të kenë statusin e pensionistit.

Kuvendi i Kosovës sa më parë duhet ta miratojë legjislacionin lidhur me sigurimet shoqërore në Kosovës, kurse bashkë me institucionet e tjera të vendit duhet të shtojë presionin ndaj shtetit zviceran që qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në atë vend (rreth 200 mijë persona) t’i gëzojnë të drejtat e tyre në lëmin e sigurimeve shtetërore, kanë theksuar sindikalistët nga Zvicra.

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Eqrem Kryeziu, i ka falënderuar sindikalistët zviceranë për aktivitetet dhe solidaritetin e tyre me punonjësit zviceranë nga Kosova. Ai ka pohuar se ekziston një shqetësim te qytetarët në Kosovë lidhur me kahet negative të sigurimeve shoqërore në Zvicër që prek qytetarët e Kosovës të cilët punojnë dhe jetojnë atje, por është pajtuar se mbase çështja nuk është trajtuar seriozisht nga institucionet e Kosovës.

Kryeziu është zotuar se çështjen do ta ngritë në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe se do të angazhohet që çështja të rishqyrtohet dhe të zgjidhet pozitivisht nga autoritetet zvicerane.

Në përbërje të delegacionit të sindikalistëve zviceranë ishin edhe Rita Schiavi, udhëheqëse e sindikatave UNIA, Jean Michel Varcher, specialist në sindikatat SIT të Gjenevës, Ruzhdi Ibrahimi, specialist i sigurimeve shoqërore në UNIA, Shani Zekolli, sekretar sindikal në Sindikatën SIT në Gjenevë dhe Osman Osmani, sekretar i UNIA-s në sektorin për migracion.

Delegacionin sindikal nga Zvicra e kanë shoqëruar kryetari dhe nënkryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi dhe Xhafer Xhaferi.
Eqrem Kryeziu priti delegacionin e Sindikatave Zvicerane