Lajmet e fundit

Seanca e Kuvendit të Kosovës

, 31.05.2010




Në vazhdim të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, u aprovua në parim Projektligji për mbrojtjen e natyrës, i cili ishte shqyrtuar në seancën e mëparshme të Kuvendit . Ndërkaq, seanca pastaj vazhdoi me shqyrtimin e Raportit të punës së Komisionit për Ndihmë Juridike për vitin 2009. Lidhur me këtë u tha se Raporti është mjaft i mirë dhe ka përfshirë veprimtarinë e këtij Komisioni, që ka për qëllim ofrimin e ndihmës falas për qytetarët me vështirësi materiale për realizimin e të drejtave të tyre para gjykatave. Veprimtaria e Komisionit u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm për sundimin e ligjit në vend. Nga diskutuesit u shtrua nevoja që të nisë hartimi i Ligjit për Komisionin për Ndihmë Juridike, pasi deri tash ky komision vepron sipas një rregulloreje të UNMIK-ut, e cila ka mjaft zbrazësi. Pas debatit Kuvendi miratoi Raportin e punës së Komisionit për Ndihmë Juridike për vitin 2009.

Në vijim u shqyrtua Raporti i punës së Komisionit të Konkurrencës për vitin 2009. Në debatin që pasoi lidhur me këtë raport u tha se është i nevojshëm një trajtim më i mirë i këtij komisioni, duke krijuar kushte që ky komision të kryejë ashtu si duhet funksionin e tij shumë të rëndësishëm, sidomos kur është fjala për sigurimin e ambienteve përkatëse të punës. Diskutuesit u angazhuan për liri të tregut, përkatësisht konkurrencë të mirëfilltë, që nënkupton edhe evitimin e monopolit në treg. Si hapa të mirë të komisionit u theksuan angazhimet për shfuqizimin e disa marrëveshjeve të segmenteve të ndryshme të tregut, që ishin në kundërshti me praktikat e tregut dhe ligjin e konkurrencës. Duke e vlerësuar si raport të mirë, në seancë u aprovua Raporti i punës së Komisionit të Konkurrencës për vitin 2009.

Në mbështetje të Rekomandimit të Komisionit Ad-hoc për emërimin e dy anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media, Kuvendi emëroi Daut Demakun e Venera Hajrullahun, anëtarë të këshillit të KPM- ës. Pastaj, Kuvendi bëri harmonizimin e Nenit 47 të Rregullores së Kuvendit. Në rendin e ditës së seancës ishte edhe ratifikimi i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe IDA-s, por kjo nuk fitoi shumicën e duhur të votave të deputetëve, ndaj edhe nuk u aprovua.
Seanca e Kuvendit të Kosovës