Lajmet e fundit

Kryekuvendari Jakup Krasniqi mori pjesë në tribunën me temë “Mediet dhe Politika”

, 07.06.2010




Në tribunën me temë “Mediet dhe Politika”, organizuar nga gazeta e përditshme “Tribuna Shqiptare” dhe Universiteti Mbretëror “Iliria”, mbështetur nga fondacioni “Friedrich Ebert Stifung”, mori pjesë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dr. Jakup Krasniqi, si dhe përfaqësues të tjerë politik, përfaqësues të medieve, si dhe ambasadorë e personalitete tjera të rëndësishme.

Me këtë rast kryetari i Kuvendit dr. Jakup Krasniqi duke e cilësuar temën e kësaj tribune si një çështje shumë të rëndësishme për Kosovën dhe shoqërinë në përgjithësi tha se në dekadat e fundit mediet dhe politika kanë bërë një rrugëtim të përbashkët, atë të arritjes dhe të konsolidimit të lirisë. “Mediet përveç plotësimit të kërkesave për informim të opinionit publik, kanë vetpranuar edhe një detyrë tjetër, atë të mbrojtjes dhe të avancimit të luftës politike dhe ushtarake për lirinë e Kosovës. Kosova arriti të fitojë lirinë dhe pavarësinë e saj si rezultat i angazhimit të përbashkët dhe gjithëpërfshirës. Sot kur jemi në liri ajo që vazhdon t’i bashkojë sërish është interesi i ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit.

Sikurse politika po ashtu edhe mediet e kanë këtë interes parësor, megjithatë në këndvështrime të ndryshme. Përderisa e para bënë përpjekje ndonjëherë më shumë e ndonjëherë më pak, për ta krijuar një shtet sa më funksional dhe ta rrisë mirëqenien e qytetarit, media kërkon ta informojë publikun për faktin se sa është punuar për interesin e qytetarëve dhe se ku ka ngecur politika”, theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Tutje, Krasniqi tha se në rrethanat e sotme të shtetndërtimit dhe të ekonomisë së lirë, rrethanat janë duke ndryshuar dhe se media shihet gjithnjë e më shumë si biznes ose si mjet për arritjen e disa qëllimeve fitmprurëse, pa e humbur rëndësinë kryesore të saj që paraqitet si pushtet i katërt, si dhe pa e harruar interesin publik. “Natyrisht, në shtetin tonë demokratik në pushtete të ndara kemi përplasje në mes këtyre pushteteve, kjo është normale edhe në raportet media –politikë. Mediet nuk janë opozitare vetëm ndaj pushtetit, por janë opozitare edhe ndaj opozitës. Mediet janë në aleancë me të vërtetën dhe në betejë me të pavërtetën. Nëse zgjedhjet janë kontroll i demokracisë por që ndodh një herë në tre apo katër vjet, mediet çdo ditë e kontrollojnë demokracinë dhe duhet ta kontrollojnë demokracinë”, tha Krasniqi.

Duke njohur ndikimin dhe rolin e madh që ka media në opinionin publik, Krasniqi vlerësoi se çdo pushtet synon ta josh medien dhe ta sigurojë jetëgjatësinë e pushtetit ose marrjen e tij. Dhe, në këtë tendencë sipas Kryetarit të Kuvendit nuk kanë munguar as kritikat, jo vetëm nga qarqe të brendshme intelektuale, por edhe nga institucione të huaja.

“Në tendencën për të siguruar të hyra ekzistenciale mediet gjithashtu nuk mund të kenë luksin e minimizimit të arritjeve dhe të kritikave të paqëndrueshme ndaj politikës. Si kryetar i institucionit më të rëndësishëm demokratik, i ftoj mediet të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në drejtim të konsolidimit, të demokracisë, të institucioneve të shtetit dhe të forcimit të pavarësisë, madje edhe me çmimin e kritikës së natyrshme të dobësimit të pushtetit, në interes të shtetit. Një shoqëri që synon të ndikojë mbi mediet në interes të pushtetit është e destinuar ta ndalojë hapin e zhvillimit demokratik dhe ekonomik. Gjithashtu, edhe media, e cila largohet nga interesi publik është e destinuar të dështojë. Ne nuk presim uljen e përplasjeve ndërmjet këtyre pushteteve të pavarura, por kërkojmë me ngulm që media duke e kryer punën me profesionalizëm ta ndalojë dhe ta pastrojë politikën. Një politikë me kritikë të dobët të mediave, jo vetëm që e humb kufizimin, por edhe e dëmton dinamikën e përparimit dhe të punës më të dobishme”, u shpreh dr. Jakup Krasniqi.

Kryekuvendari Krasniqi tha se media e balancuar dhe e përkushtuar ndaj profesionalizimit dhe ndaj dukurive të dëmshme të shoqërisë, e çon përpara jo vetëm konsolidimin e mëtejmë të shoqërisë, por krijon edhe një media demokratike dhe të shëndoshë, duke i krijuar vetes një rehati dhe qëndrueshmëri financiare afatgjate. “Pushteti i medias duhet të jetë në shërbim të publikut dhe të interesave të vendit tonë”, tha krejtësisht në fund kryekuvendari Jakup Krasniqi.

Në këtë tribunë kanë folur edhe publicistja e njohur Ana di Lelio, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Hoti, si dhe përfaqësues të mediave.
Kryekuvendari Jakup Krasniqi mori pjesë në tribunën me temë “Mediet dhe Politika”