Lajmet e fundit

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport

, 24.06.2010




Çështja e trafikimit të fëmijëve ishte pikë kryesor e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Arsim Rexhepi, kryetar i Komisionit. Përkitazi me këtë çështje raportoi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili. Në fillim ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një mori veprimesh adekuate për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore: ka formuar grupin ndërministror për koordinimin e aktiviteteve të institucioneve të Kosovës, ka hartuar strategjinë për luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore, janë përcaktuar objektiva të qarta, janë hartuar dokumente të rëndësishme që kanë të bëjnë me procedurat standarde të veprimit për viktimat e trafikimit etj. Po kështu janë duke u ndërmarrë aktivitete në aspektin e sensibilizimit të qytetarëve për pasojat e trafikimit nëpërmjet formave të ndryshme, siç janë ligjëratat e ndryshme me qytetarë , përfshirja e temave të ndryshme në planprogramet mësimore etj. Një fushë tjetër angazhimi është edhe investimi në strehimore për mbrojtjen e viktimave.

Në vazhdim z. Xhelili theksoi se gjatë vitit 2009 janë realizuar 80 për qind e aktiviteteve të planifikuara në Planin e veprimit. Para Komisionit u paraqitën edhe të dhëna mbi numrin e viktimave të identifikuara, si dhe për masat që janë ndërmarrë kundër trafikantëve me qenie njerëzore. Në këtë vështrim u tha se policia kosovare ka avancuar punën në luftimin e trafikimit, duke u pajisur në mënyrë adekuate, ndërsa është funksionalizuar edhe detabaza për viktimat e trafikimit, si dhe e autorëve të përfshirë në trafikim. Krahas institucioneve tjera, kontribut të rëndësishëm në luftën kundër trafikimit po jep edhe Ministria e Arsimit të Kosovës, sidomos kur është fjala për organizimin e trajnimeve të ndryshme që kanë të bëjnë me riintegrimin e viktimave në shoqëri. Si në fjalën e zëvendësministrit Xhelili, ashtu edhe të deputetëve, theksi u vu posaçërisht në intensifikimin e masave parandaluese në lëmin e trafikimit.
Komisioni për  Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport