Lajmet e fundit

Fjala e Kryetarit Jakup Krasniqi në Takimin e tretë ndërparlamentar të Parlamentit Evropian dhe Kosovës

, 24.06.2010




I nderuar zoti Eduard Kukan,

I nderuar zoti Hajredin Kuçi

I nderuar zoti Piter Feit

I nderuar zoti Fernando Gentilini

I nderuar zoti Lawrence Meredith

Të nderuar parlamentarë

Zonja dhe zotërinj

Kam kënaqësinë e veçantë të jem në takimin e tretë ndërparlamentar të Parlamentit Evropian dhe Kosovës.

Fillimisht zotit Kukan dëshiroj t’i uroj sukses në rolin e ri që ka marrë për këto takime dhe njëkohësisht falënderoj përzemërsisht, eurodeputeten e shquar, zonjën Doris Pack, për kontributin e saj të shkëlqyer në takimet tona të mëhershme.

Nga takimi i kaluar, në Kosovë është forcuar stabiliteti politik, demokracia dhe siguria, janë konsoliduar të gjitha institucionet kushtetuese të shtetit, është stabilizuar shoqëria shumetnike dhe janë thelluar reformat. Pavarësia e ka bërë Kosovën faktor paqeje në rajon.

Zgjedhjet lokale në Kosovë u zhvilluan sipas standardeve ndërkombëtare, duke rikonfirmuar edhe një herë pjekurinë dhe kulturën demokratike të qytetarëve e të institucioneve politike. Pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje është tregues i qartë i realitetit të ri integrues në Kosovë.

Vendi ynë ka shënuar zhvillim ekonomik dhe ngritje të investimeve. Ka vazhduar privatizimi, është zhvilluar infrastruktura, kurse qeveria ka projektuar vizion të qartë për zhvillimin socio-ekonomik të vendit dhe për perspektivën e integrimeve euroatlantike.

Republika e Kosovës e ka ngritur pozitën ndërkombëtare, duke arritur në 69 numrin e vendeve mike që e kanë njohur, duke u pranuar anëtare në Fondin Monetar Ndërkombëtar e në Bankën Botërore dhe duke thelluar marrëdhëniet me shumë vende demokratike, me fqinjët dhe me institucione rajonale e ndërkombëtare.

Pas mbrojtjes së shkëlqyer të së drejtës dhe legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pas shpalljes së mendimit të saj këshillëdhënës, presim që shpejt të shtohet numri i vendeve anëtare të OKB që do ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Zonja dhe zotërinj

Kosova po e përmbush gradualisht kornizën e vet ligjore. Janë miratuar ligje, të cilat rregullojnë shtetësinë e Kosovës, përcaktojnë standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut, mundësojnë zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe hapin perspektivën integruese në Bashkimin Evropian dhe në institucionet tjera euroatlantike. Këto ditë do të fillojmë procedimin e një pako ligjesh që do të ndihmojnë reformimin dhe konsolidimin e plotë të sistemit tonë të drejtësisë.

Të drejtat e njeriut në Kosovë, përveç legjislacionit përkatës, mbrohen edhe me Kushtetutën, e cila si pjesë përbërëse ka instrumentet relevante ndërkombëtare për këtë fushë.

Kuvendi ka vazhduar ta forcojë rolin e tij ligjvënës, përfaqësues dhe atë të kontrollit, e ka rritur transparencën e komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet tjera, prezencën ndërkombëtare dhe shoqërinë civile. Rregullorja e re e Kuvendit e ka përparuar demokracinë tonë parlamentare. Rezultate evidente kemi edhe në diplomacinë parlamentare

Për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit për vitin 2009, Komisioni për Integrime Evropiane, në bashkëveprim me komisionet tjera parlamentare, ka hartuar Planin e Veprimit të Kuvendit për Integrim Evropian, i cili është miratuar në Kuvend dhe po zbatohet.

Gjatë vitit 2009 në Kuvend u zgjodhën edhe tri organe të rëndësishme kushtetuese: Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe Bordi i RTK-së.

Në proces të ngritjes së rolit të kontrollit mbi organet që ka zgjedhur, Kuvendi në frymën e fjalës së lirë dhe të demokracisë parlamentare ka organizuar debate të hapura, për shumë çështje dhe tema, që kanë të bëjnë sidomos me qeverinë. Kështu p.sh. Gjatë kësaj kohe janë parashtruar qindra pyetje parlamentare gojore dhe të tjera me shkrim. Komisionet parlamentare kanë vazhduar të bëjnë mbikëqyrjen e implementimit të ligjeve.

Në këtë vit kemi hyrë me tri komisione të reja: Komisioni për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisioni për Inteligjencën, të cilët i japin Kuvendit rol më të madh të kontrollit parlamentar.

Kuvendi ka mbajtur takime me qytetarë dhe asamble komunale të Kosovës. Buxheti i Kuvendit për vitin 2010, ka një linjë të re për financimin e zyrave për komunikim të deputetëve me qytetarët.

Reformimi i administratës po zhvillohet sipas Planit të veprimit të Kuvendit.

Zonja dhe zotërinj

Republika e Kosovës, si një shtet i ri dhe i pas konfliktit, ka shumë objektiva dhe sfida të vështira, të cilat do të mund t’i përballojë më mirë dhe më lehtë duke vazhduar solidariteti me të i bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe i Bashkimit Evropian, në veçanti.

Me këtë rast do të veçoja katër prioritete tonat madhore dhe strategjike, në të cilat kërkojmë ndihmën e gjithanshme të Parlamentit Evropian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian: Zhvillimi ekonomik, vendosja e rendit kushtetues ne veri të vendit, sundimi i ligjit dhe integrimi evropian.

Me gjithë trendin pozitiv, ekonomia jonë ende ndodhet në fazat e para të zhvillimit të saj. Ajo aktualisht karakterizohet me një normë të lartë të papunësisë, është kryesisht ekonomi konsumuese me nivel të lartë të importeve dhe nivel të ulët të eksporteve. Për shkaqet e së kaluarës koloniale do të duhen edhe shumë përpjekje për të tejkaluar prapambetjen e Kosovës, varfërinë dhe papunësinë e lartë. Në këtë drejtim, veç Komisionit Evropian, ndihmë të rëndësishme do të mund t’i ofronte Kosovës edhe Banka Evropiane për Zhvillim. Kjo gjendje ekonomike përbën burimin kryesor të proceseve destabilizuese dhe të rrezikimit të sigurisë.

Në vijim të përpjekjeve tona për konsolidimin e sistemit institucional dhe për vendosjen e rendit kushtetues në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ICO dhe Qeveria kanë hartuar Qasjen Gjithëpërfshirëse të veprimeve në veri të Kosovës, e cila është mbështetur gjerësisht nga politika e institucionet tona, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare e Komiteti Drejtues për Kosovën.

Nga Bashkimi Evropian kërkojmë që nëpërmjet të misionit EULEX dhe mekanizmave të tjerë të mundësohen procese të reja integruese në veri, të shuhen institucionet e kriminalizuara ilegale, me qëllim që të sigurohen përfaqësimi demokratik i qytetarëve në pushtetin qendror dhe lokal, qasja e qytetarëve në drejtësi, shërbime e investime dhe zhvillimi ekonomik e mirëqenia e përgjithshme. Bashkimi Evropian ka mundësinë e ndikimit të fuqishëm te Beogradi për të pushuar obstruksionin ndaj rendit kushtetues në Kosovë, për të ndalur ndërhyrjen flagrante në punët e saj të brendshme dhe instrumentalizimin e qytetarëve tanë serbë. Kosova nuk duhet të mbahet më peng as viktimë e qarqeve politike të Beogradit.

Sa më shpejt të arrihet progres në vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e Kosovës, aq më mirë do të jetë në radhë të parë për vetë qytetarët atje, por edhe për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore midis Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi deklaruar shumë herë për përmirësim të marrëdhënieve edhe me Serbinë, duke shprehur gatishmërinë për dialog e bisedime, si dy shtete sovrane dhe fqinje, por ia kemi bërë shumë të qartë asaj që pavarësia e Kosovës, integriteti i saj territorial dhe kushtetutshmëria janë të panegociueshme.

Krim të organizuar ka edhe në pjesët tjera të vendit tonë, prandaj Qeveria e Kosovës dhe EULEX, në bashkëpunim po i intensifikojnë veprimet e tyre në rritjen e shkallës së sundimit të ligjit dhe konkretizimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me ndërmarrjen e masave specifike. Qeveria e Kosovës është përcaktuar për të pasur rol prijës në këtë luftë pa kompromis. Ne përshëndesim vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe rikonfirmojmë bashkëpunimin e mirë dhe të ngushtë të institucioneve tona me të.

Së fundi, dëshiroj të theksoj fuqishëm përcaktimin dhe angazhimin tonë për integrimin evropian të Kosovës. Koha është që për Kosovën të bëhet qartësimi i hapave konkret drejt integrimit dhe forcimi i perspektivës evropiane, paralel me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ne e kemi mirëpritur Deklaratën e Sarajevës për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe shpresojmë që edhe për Kosovën do të krijohen mundësitë e liberalizimit të vizave dhe të ndihmës së gjithanshme e të intensifikuar të Komisionit Evropian, duke shfrytëzuar instrumentet e BE-së, veçanërisht të IPA-s, me qëllim të përshpejtimit të zhvillimit socio-ekonomik të Kosovës. Duke çmuar lart përkushtimin e BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Sarajevës, shpresojmë që edhe në të ardhmen t’i mundësohet asaj përfaqësimi në takime të tilla rajonale.

Dëshiroj të shfrytëzoj edhe këtë rast për të falënderuar Parlamentin Evropian për marrëdhëniet e mira me Kuvendin tonë, për ndihmën e pakursyeshme që po na jep dhe për kujdesin e vazhdueshëm ndaj nesh, që të ecim drejt dhe sigurt në rrugën e integrimit evropian.

Uroj që edhe ky takim të ketë punë të mbarë dhe përfundim të suksesshëm.

Faleminderit

Jakup KrasniqiFjala e Kryetarit Jakup Krasniqi në Takimin e tretë ndërparlamentar të Parlamentit Evropian dhe Kosovës