Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 28.06.2010




Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar dhe përkrahur sot propozim-amendamentet e propozuara nga grupi i punës, në Projektligjin për Gjykatat, duke e proceduar projektligjin në tërësi për shqyrtim të mëtejshëm në Kuvend.

Në këtë mbledhje të udhëhequr nga kryetari i Komisionit, Bahri Hyseni, morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatës Supreme, Këshillit Gjyqësor, NDI-së etj. Mbledhja u shoqërua me diskutime të gjera rreth amendamenteve të projektligjit, të cilat, ndër të tjera, u përqendruan në kompetencat e Gjykatës Supreme, krijimin e Departamentit për të Mitur etj.

Projektligji për Gjykatat ka për qëllim organizimin e ri të sistemit gjyqësor dhe njëherësh, me miratimin e tij, bëhet reformimi i sistemit gjyqësor në Kosovë.

Komisioni në mbledhjen e sotme konstatoi edhe bazën ligjore të amendamenteve në Projektligjin për Inspektoratin e tregut dhe mbikëqyrjen inspektuese.
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi