Lajmet e fundit

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

, 06.07.2010




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Haki Shatri, kryetar, u shqyrtua raporti final i auditimit të pasqyrave financiare të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, për vitin 2009.

Përfaqësues të Auditorit të Përgjithshëm, gjatë prezantimit të raportit në fjalë, shpalosën para anëtarëve të komisionit të gjeturat gjatë auditimit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina si dhe rekomandimet e ZAP-it.

Anëtarët e komisionit, raportin final të auditimit të pasqyrave financiare të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, e vlerësuan raport korrekt dhe profesional, me ç‘rast ngritën shqetësimet e tyre rreth të gjeturave të auditorit në këtë kompani.

Përfaqësues të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, pas sqarimeve që dhanë para anëtarëve të komisionit u zotuan se të gjitha të gjeturat në këtë kompani do të përmirësohen.

Megjithatë, përfaqësues të KURP-it, theksuan se gjatë këtij viti kanë shënuar progres duke përmendur disa investime kapitale, ndërsa u tha se raporti i këtij viti do të dal në mënyrë shumë pozitive.

Anëtarët e komisionit e përkrahën raportin final të auditimit të pasqyrave financiare të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, për vitin 2009, i cili mund të procedohet tutje, duke kërkuar nga përfaqësues të kësaj kompanie që brenda 30 ditësh të sjellin një shkresë në komision lidhur me veprimet konkrete dhe planveprimet e kësaj kompanie.

Një gjë të tillë anëtarët e Komisionit e kërkuan edhe nga përfaqësues të Avokatit të Popullit, gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit, për vitin 2009, të cilin raport po ashtu e përkrahën, me ç‘rast shprehën shqetësime rreth të gjeturave në këtë institucion.

Në vazhdim të këtij takimi u shqyrtua edhe raporti i auditimit të pasqyrave financiare të Komisionit Qendror Zgjedhor, për vitin 2009.

Pas prezantimit të raportit nga ana e përfaqësuesve të Auditorit të Përgjithshëm, anëtarët e komisionit kërkuan nga kjo organizatë që të ndërmarrë hapa të nevojshëm për të përmirësuar mangësitë që janë hasur nga Auditori i Përgjithshëm, dhe brenda dy muajve të sjellin në komision një përgjegjje lidhur me veprimet që ka ndërmarrë kjo organizatë.

Po ashtu edhe raporti në fjalë u përkrah në parim nga ana e anëtarëve të komisionit dhe mund të procedohet tutje.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike