Lajmet e fundit

Nga seanca solemne e Kuvendit t Kosovës

, 09.07.2010




Për ta nderuar mikun e madh të Kosovës, ish-kryeministrin e Britanisë Madhe z. Tony Blair, Kuvendi i Republikës së Kosovës sot ka mbajtur një seancë solemne, në të cilën deputetëve i është drejtuar z. Blair.

Duke e përshëndetur mikun e shtrenjtë të popullit tonë dhe duke e vlerësuar z. Blair njërën ndër figurat e shquara politike në plan ndërkombëtar, kryetari Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, ka theksuar se dje Kosova pati dy sihariqe të mira nga Evropa: arritjen mikut të madh të saj, zotit Bler dhe Rezolutën e Parlamentit Evropian.

“Ardhjen Tuaj në Kosovë, zoti Bler, e përjetojmë si një ngjarje shumë të rëndësishme, nder të madh dhe kënaqësi njerëzore për mikun luftëtar të paqes, që kontribuoi aq shumë për lirinë dhe të drejtat e njerëzve liridashës të këtij vendi. Ju mbaheni mend në Kosovë, zoti Bler, për lidershipin tuaj të fuqishëm, si kryeministër për kohë të gjatë i Mbretërisë së Bashkuar, por edhe si lider i shquar botëror, mbaheni mend për angazhimin e pakursyer për të drejtën e Kosovës, duke qenë gati të ndërhynit me trupat tokësore për mbrojtjen e qytetarëve tanë nga gjenocidi, mbaheni mend për takimin vëllazëror me refugjatët e Kosovës, të cilëve u dhatë shpresë e besim, mbaheni mend me emnakët e shumtë që keni në këtë vend dhe do të përjetësoheni në kujtesën e tij historike”, ka theksuar Krasniqi në fjalën e tij përshëndetëse.

Ai në vazhdim ka pohuar se Mbretëria e Bashkuar ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të veçantë e historik në mbrojtjen e drejtësisë karshi çështjes së Kosovës, në rindërtimin e rimëkëmbjen e vendit tonë të dalë nga lufta shkatërruese dhe në sigurinë e në ngritjen e themeleve të Kosovës së re.

Duke e cilësuar viganin e mbrojtjes së lirisë dhe duke guruar zotin Bler për ndjenjën e lartë dhe të përjetshme që ka Kosova për Mbretërinë e Bashkuar dhe për te personalisht, Krasniqi e ka ftuar zotin Bler t’i drejtohet me e një fjalë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Urime! Unë jam i krenar për ju!” e ka nisur fjalën e tij (të thënë shqip) në Kuvendin e Kosovës ish-kryeministri britanik, Tony Blair, duke evokuar kujtime me presidentin e ndjerë Rugova në Downing Street, më 1998, i cili i kishte dhuruar një gurë, që vazhdon ta ruaj edhe sot. Ai i kishte folur për të vërtetën e Kosovës dhe e i kishte shprehur të vetëm një lutje: “Mos lejoni më të vuaj populli Kosovës!”. Blair i kishte kujtuar edhe dy takimet që ka pasur në Maqedoni me refugjatët shqiptar nga Kosova, të cilët jetonin nëpër çadra, pa e ditur se çfarë po i priste. “ Më kujtohen tregimet e tyre për brutalitetin, po më kujtohet edhe krenaria dhe guximi i tyre”, ka thënë Blair, duke shtuar : “ Ja ku jemi sot! Pas njëmbëdhjetë vjetësh Kosovës shtet, me 69 njohje ndërkombëtare, e anëtarësuar në FMN dhe BB. Dhe mbi të gjitha : Një vend në paqe! Urime” u ka thënë Blair deputetëve.

Në vazhdim ai ka përmendur ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovës: “Kemi ndihmuar ne, ka ndihmuar NATO, UNMIKU, etj.,por mbi të gjitha ishte e arritje juaja, e popullit tuaj për një shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës.

“Ajo që intervenuam para shumë vjetësh ishte që tu japim një mundësi për të hapur një kapitull të ri për popullin e Kosovës, por atë kapitull duhet ta shkruani vetë, dhe po e shkruani”, ka thënë ish-kryeministri Britanik, i cili ka përkujtuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me ish-presidenti amerikan Clinton, për ta parandaluar spastrimin etnik të Kosovës. Ai ka pohuar se intervenimi ishte në frymën e ruajtjes së vlerave evropiane dhe në këtë sens ishte edhe mbështetja e pavarësisë së Kosovës. “ Pavarësia e Kosovës ishte një gjë e duhur. Pavarësia e Kosovës është fakt dhe ajo do të vazhdojë “, është shprehur Blair, i cili ka nënvizuar se tani duhet të vendosni për natyrën e këtij shteti. Jo për kufijtë dhe sovranitetin por për institucionet, për ekonominë për vlerat e këtij shteti. Ai në vazhdim ka theksuar se shteti i Kosovës nuk i përket vetëm një populli, apo një grupi etnik a fetar, por të gjithë popujve të saj.

Populli shumicë i Kosovës ka vuajtur shumë si rezultat i një ideje se kufijtë e Ballkanit mund të rishkruhen mbi baza etnike. Ai ka shfaqur kënaqësinë për marrëdhëniet e mira të institucioneve të Kosovës me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Peter Feith, për krijimin e komunave të reja gjatë procesit të decentralizimit dhe për zgjedhjet e mbajtura nëpër komunat e reja serbe, dhe sidomos për pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës. Ai është shprehur i bindur se serbët do të jenë mirë të përfaqësuar edhe në ushtrinë e ardhshme të Kosovës, e cila duhet të jetë anëtare e NATO-s.

“Bashkimi Evropina duhet të jetë destinacioni juaj” u ka thënë Blair deputetëve, duke u shprehur kjo çështje do edhe pak kohë dhe duke tërhequr vëmendjen se duhen mësuar rregullat e tij, siç duhen mësuar rregullat brendshme të çdo klubi ku dëshiron të anëtarësohesh. Ai në vazhdim ka folur për ligjet e mira që duhet miratuar Kosova në rrugë e sipër për në BE, për respektimin e këtyre ligjeve si parakusht të tërheqjes së investitorëve të huaj dhe të atyre britanikë, duke pohuar se e ka provuar verën e mirë të Kosovës, të cilën do t’ua rekomandojë edhe britanikëve të tjerë. Ai i ia inkurajuar afaristët kosovarë që të përfitojnë nga tregu i madh evropian që do të hapet për ta. Blair është shprehur optimist se zhvillimin e vendit tonë do të vazhdojë ta mbështesë edhe diaspora.

”Evropa do t’ju shoqërojë nëpër angazhimet tuaja, që ta luftoni korrupsionin sepse ai sjell joefikasitetin” ka theksuar miku britanik, duke pohuar se Rezoluta e fundit e Parlamentit Evopian për Kosovën, sidomos referenca që ka të bëjë me liberalizimin e vizave, tregon se çfarë përkrahje të madhe gëzon Kosova në Evropë.

Porositë e ish-kryeministrit britanik për rrugën më të shpejtë të anëtarësimit të Kosovës në BE kanë qenë: ” Ndërtojeni institucionet! Ndërtojeni ligjet! Hapeni dhe forcojeni ekonominë e vendit!. Evropa e ka derën hapur për ju. Ajo është destinacioni juaj. Ju duhet të hyni në BE.

Bota e sotme është e ndërvarur dhe asgjë nuk mbetet brenda kufijve nacional, ka thën Blair, duke i porositur kosovarët që të imponohn me ide dhe veprime.

“ E di se marrëdhëniet me serbe mbeten të acaruara”, është shprehur ish-kryeministri britanik, duke u shprehu optimist se me kalimin e kohës raportet do të përmirësohem, siç janë përmirësuar edhe ndërmjet irlandezëve dhe britanikëve, kur u binden se interesi të tyre ishte paqja dhe anëtarësimi i përbashkët në BE.

“Qeniet njerëzore duhet të kenë të drejta të barabarta, kudoqofshin. Jemi të gjithë fëmijë të zotit. Prandaj të mësojmë të jetojmë me njëri-tjetrin deh jo të ndahemi me paragjykime dhe me urrejtje”, ka porositur Blair. Ai në vazhdim ka shpjeguar se është duke punuar për paqe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, duke theksuar rëndësinë që ka jeta e sigurt dhe me dinjitet e dy popujve në shtetet e tyre. Ai ka folur edhe për ndihmën që duhet ofruar popujve të varfër të Afrikës, për globalizimin dhe për përdorimin e shkencës në funksion të zhvillimit, duke pohuar se popujt tolerantë, të zellshëm dhe të gatshëm për të hyrë në partneritete , do t’ia dalin.

“Me një qëndrim të drejtë, nuk ka gjë që nuk mundeni ta arrini. Me në popull të shpronësuar, me të vrarë të shumtë, ia arritët lirisë. Tani duhet ta ndërtoni shtetin e Kosovës. Një ditë Kosova do të jetë në BE, si një shtet krenar. Që ta bëni këtë, duhet të jeni të sinqertë ndaj vlerave që e sollën lirinë”, i ka këshilluar Blair kosovarët.

“Padrejtësia ndaj një personi është padrejtësi ndaj të gjithëve, prandaj ishte i drejtë intervenimi ynë për popullin e Kosovës, ka përfunduar Blair duke përkujtuar edhe një herë takimin me refugjatët nga Kosova, këtu e njëmbëdhjetë vjet më parë.
Nga seanca solemne e Kuvendit t Kosovës