Lajmet e fundit

Fjala e hapjes e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, në Samitin e kryetarëve të komisioneve për politikë të jashtme të parlamenteve të vendeve të Evropës Jug-Lindore

, 20.09.2010




Zotëri kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi,
Mysafirë të nderuar e të respektuar,
Kolegë të nderuar,

Kam nderin e kënaqësinë të hap punimet e Samitit të kryetarëve të Komisioneve për Politikë të Jashtme të Parlamenteve të vendeve të Evropës Jug-Lindore, në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë.

Përshëndes në mënyrë të veçantë mysafirët tanë të nderuar: z. Fatos Beja e zonja Arta Dade nga Shqipëria, z. Dobroslav Dimitrov nga Bullgaria, z. Kreshimir Qosiq nga Kroacia, zonja Teuta Arifi nga Maqedonia, z. Miodrag Vukoviq e z. Genci Nimanbegu nga Mali i Zi, z. Mehmet Xhejlan nga Turqia.

Kolegë, zonja e zotërinj të nderuar,

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës e ka parë të dobishme e madje të domosdoshme, që të takohemi në këtë format në Prishtinë dhe të bisedojmë për bashkëpunimin rajonal dhe integrimet evropiane në nivelin parlamentar.

Në deceniet e fundit, në Ballkan kanë ndodhur ndryshime të mëdha statusore e sistemore të vendeve të ndryshme, duke kaluar nga varësia pavarësi dhe nga diktaturademokraci. Këto procese të ndryshimeve diku kanë kaluar me marrëveshje e diku nëpërmjet konflikteve të armatosura. Kjo sikur na sjell në mend të dhënën se në rajonin tonë ka shumë histori në pak gjeografi.

Mirëpo, tani është koha që të kalohet në një fazë të re të zhvillimit e të bashkëpunimit, duke u dhënë fund konflikteve e duke fituar paqen. Rendi demokratik dhe nevojat për integrime rajonale e euro-atlantike i bashkon, mendojmë, të gjitha vendet e rajonit, në nevojën për rritjen e standardeve të zhvillimit e të lirisë.

Kolegë të çmuar e të nderuar,

Kosova, mbas një pune politike e një lufte çlirimtare, e mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008. Ky akt i vullnetit politik dhe qytetar të popullit të Kosovës është legjitimuar ndërkombëtarisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe nga Rezoluta e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Kosova e pavarur është njohur deri më tash nga 70 vende të kontinenteve të ndryshme dhe pret njohje të reja.

Republika e Kosovës ka nxjerrë kushtetutën moderne që siguron të drejtat e njeriut dhe garanton të drejtat e minoriteteve.

Kosova e pavarur ka krijuar koncensus nacional politik për integrime euro-atlantike dhe bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit.

Në këtë mënyrë Republika e Kosovës është bërë faktor i stabilitetit në rajon.

Kolegë të nderuar,

Të gjitha vendet tona synojnë integrimin në Bashkimin Evropian, por janë në nivele të ndryshme të këtij udhëtimi: ka vende anëtare, ka vende që janë në prag të anëtarësimit, ka vende kandidate, si dhe vende që konkurrojnë për kandidate.

Konsiderojmë që bashkëpunimi rajonal është një gur i provës për integrime evropiane. Ne kemi çfarë të mësojmë nga njëri-tjetri. Republika e Kosovës, si shteti më i ri, do të mësojë nga të tjerët dhe për të mos u vonuar, duhet ta shpejtojë hapin.

Po sjell në kujtesë propozimin e presidentëve të katër vendeve (Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi e Kosovë) për të krijuar një mini-Shengen ballkanik. Po ashtu përkushtimin tonë për promovimin e dialogut në interes të shteteve e të popujve të rajonit.

Prandaj, konsiderojmë që qarkullimi i lirë i njerëzve dhe i mallrave në rajon, bashkëpunimi për arritje të standardeve institucionale, politike e zhvillimore, krijojnë parakushtet që të kemi lëvizje të lirë të qytetarëve në hapësirën e Bashkimit Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë frymë, kolegë të nderuar, ju shpreh edhe një herë mirëseardhjen në Prishtinë, duke ju dëshiruar sukses në punën e përbashkët.
Fjala e hapjes e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, në Samitin e kryetarëve të komisioneve për politikë të jashtme të parlamenteve të