Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Bundestagu gjerman

, 19.10.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim një delegacion nga Bundestagu gjerman, të udhëhequr nga Ute Kumpf, në të cilin është diskutuar rreth bashkëpunimit parlamentar, mbështetjes gjermane për Kuvendin e Kosovës, dhënies së bursave për studentë të rinj nga Kosova, të cilët do të bëjnë praktikë parlamentare në Bundestag, si dhe rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë.

Duke iu uruar mirëseardhje përfaqësuesve të Bundestagut, kryeparlamentari Krasniqi dha një pasqyrë të situatës aktuale në Kosovë dhe të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi. Kreu i Kuvendit foli për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe shfaqi interesimin për ta thelluar edhe më tej atë, në dobi të interesave reciproke dhe të miqësisë ndërmjet dy vendeve.

Krasniqi i falënderoi diplomatët gjermanë për ndihmën që Berlini i ka dhënë shtetit të Kosovës në të gjitha fushat, përfshirë edhe atë parlamentare. Kreu i legjislativit potencoi se edhe vizita e sotme është një konfirmim që marrëdhëniet ndërmjet dy vende janë duke u forcuar.

“Bundestagu i Gjermanisë e ka mbështetur Kuvendin në ngritjen e kapaciteteve në Departamentin Ligjor, organizimin dhe trajnimin e zyrtarëve ligjorë për punë në komisione, media dhe marrëdhënie me publikun, protokoll dhe marrëdhënie ndërkombëtare”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, ndërsa vlerësoi se studimet e të rinjve të Kosovës në Gjermani, përbëjnë një ndihmë tjetër të çmuar për Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi tha se në të ardhmen, të rinjtë që do të kthehen nga Bundestagu, sigurisht që do të gjejnë vend dhe hapësirë edhe në Kuvendin e Kosovës. “Do të përpiqemi që praktika të tilla, por sigurisht më të kufizuara, t’i bartim edhe në Kuvendin e Kosovës”, potencoi kryeparlamentari i Kosovës.

Udhëheqësja e delegacionit gjerman, Ute Kumpf, duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për pritjen, theksoi se me programin e bursave ndërkombëtare parlamentare, dëshirohet të kontribuohet që të rinjve të Kosovës t’iu mundësohet të japin kontributin e tyre pasi të kthehen në vendin e tyre.

“Jemi shumë të interesuar që ata, gjatë qëndrimit gjashtëmujor në Gjermani, të mbledhin sa më shumë përvoja dhe pas kthimit në Kosovë të mund të japin kontributin e tyre në sistemin e këtushëm parlamentar”, theksoi Kumpf. Ajo tha se nga tetë kandidatët e përzgjedhur për intervistim, dy prej tyre do të fitojnë të drejtën për praktikë parlamentare në Gjermani.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërkaq Kumpf theksoi se ato po ndiqen me interesim të madh dhe shfaqi besimin se do të kenë një përfundim të mirë.

Në një komunikim me media, diplomatja gjermane foli rreth gjendjes së krijuar, duke besuar që partitë politike do të veprojnë me përgjegjësi dhe konform Kushtetutës. Ajo tha se zgjedhjet janë pjesë e sistemit parlamentar dhe demokratik.

I pyetur rreth mundësive për dalje nga kriza, kryeparlamentari Krasniqi tha se pas ditës së shtunë kemi një realitet të ri në Kosovë, dhe, edhe në raste të tilla, zgjedhjet parashihen me Kushtetutë. Krasniqi tha se këto zgjedhje varen nga kryeministri dhe nga partitë politike që participojnë në Kuvend. “Unë pres që të kemi reagime të duhura nga të dy palët. Reagimet që do të vijnë nga deputetët dhe nga kryeministri, më mundësojnë që unë ta kryej detyrën time kushtetuese”, potencoi i pari i Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Bundestagu gjerman