Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri

, 22.10.2010




Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Rrustem Mustafa, kryetar i komisionit, ka mbajtur sot dëgjim publik, në të cilin është diskutuar për zhvillimet e fundit që adresojnë sfidat nga Raporti i Progresit, për vitin 2009.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, gjatë këtij takimi fillimisht ka folur për çështjen e sigurisë në vend. Ai theksoi se në përgjithësi situata e sigurisë në vend konsiderohet të jetë e qetë dhe stabile, përkundër disa incidenteve të izoluara të ndodhura kryesisht në pjesën veriore të vendit.

Rexhepi theksoi se Policia e Kosovës është në koordinim të ngushtë me mekanizmat relevant ndërkombëtar të sigurisë, si EULEX-in dhe KFOR-in për të ofruar siguri dhe rend për të gjithë qytetarët e vendit, me theks të veçantë për qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të vendit. “Kjo po bëhet përmes shtimit të prezencës policore në terren si dhe përmes veprimeve operative siç janë: përcaktimi i pikave të kontrollit në qendrat kryesore të qytetit dhe pjesët periferike, sinkronizimi i pikave të kontrollit me EULEX-in dhe KFOR-in, kontrollimi i veturave dhe personave, kërkimi i personave për të cilët është lëshuar fletë arrest, luftimi i kontrabandës në aspektin parandalues dhe përmes veprimeve hetimore në koordinim edhe me agjensionet tjera relevante si Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore”, tha ministri Rexhepi.

Në vijim Rexhepi duke folur për zhvillimet e fundit që adresojnë sfidat nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, për vitin 2009 theksoi optimizmin e tij se Raporti i Progresit, për vitin 2010, do të jetë shumë më pozitiv, krahasuar me raportin e KE-së të vitit të kaluar, veçmas sa i përket MPB-së, meqë sipas tij në gjashtë muajt e fundit të këtij vitit janë shënuar rezultate të mira.

Ai më tej tha se deri në fund të këtij viti do të kompletohet edhe regjistri civil dhe do të plotësohen të gjitha kriteret teknike.

Me këtë rast ministri i MPB-së, po ashtu ka folur edhe për takimin që ka pasur gjatë ditës së mërkurë me përfaqësuesen e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, e cila aktualisht është e angazhuar rreth liberalizimit të vizave. Ai theksoi se Fajon gjatë vizitës së saj në Kosovë, është befasuar këndshëm me punën që është bërë në vend.

Sa i përket çështjes së pasaportave biometrike, ministri Rexhepi tha se është duke u bërë përgatitja me pajisje për pasaportat biometrike, në mënyrë që të jenë të nivelit më të lartë, duke sqaruar se tenderi për pasaportat biometrike pritet të shpallet shumë shpejt.

Ndërsa, sa i përket Strategjisë për Rintegrimin e Personave të Riatdhesuar, Rexhepi ka sqaruar para anëtareve të komisionit se kjo çështje është në fazën e implementimit dhe se Qeveria e Kosovës ka ndarë 500.000 euro për zbatimin e kësaj strategjie për vitin 2010, kurse për vitin 2011 ka zotuar 3.500.000 euro shtesë për implementimin e kësaj strategjie.

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, iu është përgjigjur edhe pyetjeve të shumta që shtruan anëtarët e komisionit, për çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e kësaj ministrie, të cilët vlerësuan lartë punën e ministrisë në fjalë.

Në këtë mbledhje, anëtarët e komisionit përkrahën Raportin për Projektligjin për pajisje me armë, municion dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për Siguri.

Po ashtu, anëtarët e komisionit përkrahën edhe propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës, lidhur me propozimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe propozim-vendimin e Qeverisë lidhur me zbatimin e Strategjisë për Riintegrimin e personave të riatdhesuar.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri