Lajmet e fundit

Nga Mbledhja plenare e Kuvendit

, 29.10.2010




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës të drejtuar nga anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti, deputetët shqyrtuan për herë të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, prezantoi rekomandimet e komisionit funksional parlamentar, si dhe paraqiti propozimet e deputetëve të Kuvendit.

“Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi kërkon që të ndryshohet amendamenti, i cili ka të bëjë me hyrjen në fuqi të ligjit, në mënyrë që ligji në fjalë të hyjë në fuqi menjëherë pas dekretimit të presidentit në detyrë dhe KQZ-ja të fillojë parapërgatitjet rreth procedurave të ligjit, duke pasë parasysh zhvillimet aktuale”, tha Hyseni.

Dy propozime të këtij projektligji kanë të bëjnë me pragun zgjedhor, kërkesë e dy deputetëve, ndërsa propozimi i tretë ishte për kuotën e femrave kandidate, njoftoi Hyseni.

Gjatë debatit disa nga deputetët kërkuan uljen e pragut zgjedhor nga 5 për qind në 3 për qind si dhe që pragu zgjedhor për kandidatët e pavarur të kalojë nga tre për qind në një për qind. Mirëpo, propozimi i deputetëve (Driton Tali dhe Emrush Xhemajli) nuk mori përkrahjen e deputetëve të Kuvendit.

Në vazhdim të mbledhjes deputetët me shumicë votash miratuan Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Pastaj vazhdoi edhe shqyrtimi i Projektligjit për të drejtat e ish- të burgosurve politik.

Pas prezantimit të raportit me rekomandime të projektligjit në fjalë, nga ana e Kryetarit të Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, deputetët unanimisht mbështeten edhe projektligjin në fjalë me një plotësim të amendamentit 11.
Nga Mbledhja plenare e Kuvendit