Lajmet e fundit

Fjalimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, me rastin e zgjedhjes President i Republikës së Kosovës

, 22.02.2011




Të nderuar qytetarë të Kosovës,
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi,
I nderuar kandidat për Kryeministër, z. Hashim Thaçi,
Të nderuar deputetë,
E nderuar familje Rugova,
E nderuar familje Jashari,
Të nderuara familje Haradinaj, Pajaziti dhe të gjitha familjet e tjera të çmuara të dëshmorëve,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë,
Të nderuar pjesëmarrës,

Sot është një ditë e madhe. Për mua fillon sfida e radhës me plot përgjegjësi. Ju, të dashur deputetë, më zgjodhët mua për ta vazhduar rrugën për përkryerjen e vizionit të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, për ta plotësuar amanetin e heronjve tanë, të komandantit historik, Adem Jashari dhe gjithë të tjerëve që ranë për shtetin e pavarur të Kosovës.

E falënderoj presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe ushtruesin e këtij posti, z. Jakup Krasniqin, për angazhimin dhe për përkushtimin e tyre në këtë detyrë.

Të dashur qytetarë,

Sot ndihem i përulur para jush dhe ndiej se nuk më mjaftojnë fjalët ta përshkruaj këtë moment.

Nuk ekziston ndjenjë më e mirë se ta fitosh besimin e përfaqësuesve të popullit, që t’i shërbesh popullit dhe vendit tënd.

Unë jam i emocionuar, por, nga ana tjetër, shumë i përgatitur që këtë besim që m’u dha sot, ta arsyetoj me dinjitet dhe me përgjegjësi, me gjithë energjinë, dijen dhe qenien time.

Jam krenar që jam një nga ju. I lindur dhe i rritur në mjediset e një familjeje tipike të Kosovës, domosdoshmëria më shtyu të ballafaqohem me sfidat e jetës së civilizuar të Perëndimit, jetë kjo jo e lehtë për një kosovar të thjeshtë. Gjatë rrugëtimit tim shpeshherë jam rrëzuar, por gjithmonë jam ngritur dhe kam vazhduar ende më i fortë.

Ky rrugëtim më solli edhe suksese, me të cilat unë krenohem, sepse i kam arritur me PUNË. Ato janë sukseset e mia dhe të bashkëpunëtorëve e të farefisit tim. Këto sfida dhe suksese të arritura në Perëndim duhej të plotësoheshin me arritjet e vendit tim.

Unë u ktheva në Kosovë dhe e kuptova se këtu e kam vendin, në mesin e njerëzve të mi. Këtu zemra ime rreh ndryshe. Këtu i gëzohem tokës dhe diellit, këtu më gëzon çdo gjë dhe më fascinon perëndimi. Perëndimi është prej nga erdha unë dhe Perëndimi është rruga që e synon Kosova.

I falënderoj miqtë tanë perëndimorë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkësinë Evropiane, për ndihmën e madhe që kontribuuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë në ndërtimin dhe në forcimin e shtetit demokratik të Kosovës për të gjithë qytetarët e saj, për shqiptarët, za serbe, tyrkler için, za bosnjake i crnogorce, për romët, ashkalinjtë dhe të gjithë të tjerët.

Kosova e ka fituar Pavarësinë, Lirinë dhe e ndërton Barazinë. Tani po ndërtojmë shtetin. Këto arritje i synuam të gjithë dhe punuam me aq sa ditëm dhe mundëm, por ende jemi larg nga të qenët të kënaqur me arritjet tona. E arritur e veçantë e shtetit të ri të Kosovës është njohja nga 75 shtete të botës, që i falënderoj në emër të popullit të Kosovës.

Kosova sot po ballafaqohet me sfidat më të mëdha që nga çlirimi i saj. Ato janë të shumta dhe do të jenë përgjegjësi e funksionit tim që ma besuat sot.

Përpjekjet e kosovarëve për një të ardhme më të mirë janë virtyt i kosovarëve, jo dobësi. Asnjëherë nuk u jemi dorëzuar sfidave dhe vështirësive, prandaj, përpjekjet tona për t’i forcuar institucionet dhe një Kosovë ndryshe, duhet të trajtohen si virtyt dhe domosdoshmëri e kohës në të cilën jetojmë.

Ishim dëshmitarë të përfoljeve, akuzave, etiketimeve të përmasave globale të drejtuara shtetit të Kosovës dhe njerëzve të saj. Por, ju garantoj, të dashur deputetë, se kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme - e njëjta ka ndodhur edhe diku tjetër.

Në procesin e pavarësimit të Kosovës ndodhen veprime të jashtëzakonshme, si të njerëzve të Kosovës, ashtu edhe të ndërkombëtarëve, veprime këto në të cilat u përqendrua edhe opinioni botëror. Pavarësia e Kosovës ishte një histori e suksesit; përvoja ime më ka bindur se suksesi mund edhe të mos falet. Kosova dhe njerëzit e saj shënuan një sukses, shënuan, historinë e shtetit më të ri.

Sot, unë kam marrë një detyrë jo të lehtë. Kam zgjedhur pajtimin dhe angazhimin kundrejt konfliktit dhe pasivitetit. Kam zgjedhur të punoj dhe të angazhohem në këtë rrugë të domosdoshme për Kosovën dhe për të ardhmen e saj. Nuk e them se dikush tjetër do ta kishte më të lehtë, sfidat janë për t’u tejkaluar, e detyra ime e re është sfida e radhës. Institucionet demokratike forcohen me angazhimin e pozitës, të opozitës dhe të shoqërisë civile.

Unë ju garantoj se do t’i përfaqësoj interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh bindjet politike. Institucioni, të cilin përfaqësoj, do të garantojë unitet, stabilitet dhe jam tërësisht i përkushtuar t’i shërbej atij funksioni.

Të dashur qytetarë,

Unë si President i Republikës së Kosovës do të jem gjithmonë me ju, pjesë juaja dhe e halleve tuaja, do të punoj dhe do të angazhohem të jem pjesë e zgjidhjeve tuaja.

Do të punoj për të sotmen dhe për të ardhmen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, të fëmijëve, të të rinjve, të prindërve dhe të veteranëve të të gjitha kategorive.

Do të angazhohem me mundësitë dhe me kompetencat e mia për mirëqenie më të mirë dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kosova ka mundësi për më shumë dhe për më mirë.

Do të punoj për ruajtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, për barazinë e shqiptarëve dhe të komuniteteve të tjera etnike, si dhe për respektimin e të drejtave të të gjithë kosovarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore ose racore – na kraju svi smo ravnopravni gradjani Republike Kosova.

Do të punoj për një shtet të së drejtës dhe për një shtet ku askush nuk është mbi ligjin. Do ta mbështes fuqishëm luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke i siguruar pavarësinë e plotë të sistemit gjyqësor dhe kushtet optimale për punën e tyre.

Do ta promovoj idenë për një Kosovë të hapur, që garanton lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave dhe të shërbimeve, për një Kosovë të integruar plotësisht në shtëpinë e madhe evropiane, në NATO dhe në organizatat e tjera botërore.

Do ta promovoj idenë për plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në mënyrë që në të ardhmen Presidenti i Kosovës të zgjidhet me votën e lirë të qytetarëve.

Do ta promovoj idenë e funksionalizimit të referendumit - referendumi është qelizë e rëndësishme e demokracisë.

Do ta promovoj idenë e ndryshimit të Ligjit zgjedhor, në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira, të drejta, fer dhe korrekte.

Kosova ka qenë dhe mbetet vend, që i respekton fqinjët dhe i kryen obligimet e saj për marrëdhënie sa më të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj.

E falënderoj shumë Republikën e Shqipërisë dhe institucionet e saj, për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë afirmimit të shtetit të Kosovës.

E çmojmë lart gatishmërinë e Malit të Zi dhe të Maqedonisë, për avancimin e raporteve të mira fqinjësore.

Për gjithë strukturën politike në Kosovë është i rëndësishëm dialogu me Serbinë. Në këtë proces, Kosova do t’i paraqesë vlerat, idenë dhe vizionin për një fqinjësi të mirë, ku të drejtat e njeriut respektohen dhe vlerësohen në mënyrë reciproke. Parimi i fqinjësisë së mirë është bazë për integrime rajonale dhe globale.

Do të punoj me gjithë qenien time ta ngre Kosovën në mesin e shteteve të respektuara dhe të vlerësuara të botës, në mesin e shteteve të respektuara me të ardhme të ndritur, atje ku qytetari është në qendër të vendimmarrjes dhe është esenca e qeverisjes.

Kosova e meriton këtë, kosovarët e meritojnë të jetojnë në vend me një të ardhme të ndritur dhe këtë mund ta arrijmë vetëm me punë të madhe dhe me përkushtim të sinqertë.

Rol të veçantë në këtë proces ka rinia jonë. Për rininë duhet të krijojmë kushte më të mira jetësore dhe perspektivë të sigurt.

Me këtë mandat po hyjmë në fazën e re të shtetndërtimit të Kosovës, në fazën kur duhet t’i forcojmë themelet e shtetit të Kosovës, me vizion të qartë dhe pa frikë nga e ardhmja. Ne do të korrim sukses, sepse jemi të përkushtuar që suksesin ta arrijmë vetëm me punë profesionale dhe të ndershme.

Prandaj, të dashur qytetarë të Kosovës dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, SË BASHKU T’IA FILLOJMË PUNËS – JEMI VONUAR.

Faleminderit edhe një herë dhe Zoti na ndihmoftë në rrugëtimin tonë të përbashkët!

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës,
Zoti i bekoftë të gjithë popujt e botës!